Dalin në dritë të tjera detaje për identitetin e dy shqiptarëve, që dyshohet se janë autorë të atentatit me 4 të vrarë në Qipro, mbrëmjen e së enjtes.

Në kërkim nga policia e Qipros është Aleks Burreli, i cili arriti të largohej në kohë nga vendngjarja, ndërsa bashkëpunëtori i tij, Jani Vogli, mbeti i vdekur.

Për dy shqiptarët, që dyshohet të jenë vrasës me pagesë, është marrë informacioni se kanë dalë nga Shqipëria më 7 Maj të këtij viti dhe pas ndalesës në Stamboll, kanë udhëtuar drejt Qipros më 8 Maj, ku janë takuar me porositësit e atentatit.

Aleks-Burreli

Në foto: Aleks Burreli, i shpallur në kërkim

Nga të dhënat që u janë përcjellë homologëve qipriotë, dy shqiptarët nuk rezultojnë të jenë skeduar nga policia shqiptare për vepra penale.

48 – vjeçari Aleks Burreli shihet si personi kyç, që mund të japë të dhëna të vlefshme për hetimin e atentatit, ku mbeti i vrarë biznesmeni Fanos Kalopsidiotis, dy miqtë e tij dhe shqiptari Jani Vogli.

Burreli mbeti i plagosur dhe frika është se ai mund të eleminohet për t’i mbyllur gojën.

Nga ana tjetër, policia qipriote ka dyshime se 41 – vjeçari Jani Vogli, mund të jetë vrarë nga bashkatdhetari i tij, Burreli. Kjo, pasi ekspertiza dëshmoi se dy policët që shoqëronin biznesmenin e vrarë, nuk i kanë përdorur armët e tyre.

Policia ende nuk ka saktësuar numrin e personave, që me fytyra të maskuara, mësynë të enjten në mbrëmje një restorant, në Agia Napa të Republikës së Qipros.

Ata hapën zjarr drejt tavolinës ku po darkonte biznesmeni vendas Fanos Kalopsidiotis, i moshës 51 – vjeç. Biznesmeni dhe një çift që ishte me të mbetën të vrarë, ndërsa dy persona të tjerë u plagosën.

Tv Klan