Dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit nga skemat e mashtrimit me tatimin mbi vlerën e shtuar dhe evazioni fiskal në vitin 2017 ka kapur vlerën e 62 milion dollarëve. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka referuar në Prokurori 165 raste të bizneseve që kanë fshehur të ardhurat apo kanë përdorur skema evazioni, por asnjë nga të kallëzuarit ende nuk ka marrë një dënim nga gjykata.

Në total janë 228 persona të cilët dyshohen nga strukturat e hetimit tatimor që kanë kryer vepra penale në fushën e evazionit dhe mashtrimit, të cilët po hetohen në gjendje të lirë.

Në 2017-n tatimet kanë zbuluar 8 skema mashtrimi me TVSH-në, raste ku buxheti i shtetit u ka kthyer para në vlerën e 10 milionë dollarëve kompanive të cilat kanë paraqitur fatura fiktive. Këto skema kanë patur edhe numrin më të lartë të bashkëpunëtorëve, 78 autorë, një pjesë e të cilëve dyshohen të jenë pjesëtarë të administratës tatimore.

Fshehja e të ardhurave dhe mospagesa e taksave zënë vlerën më të madhe të kallëzimeve të bëra në prokurori, 51 milionë dollarë, ndërsa vitin që shkoi janë zbuluar edhe 10 veprimtari të cilat organizonin aktivitet të palejuar në fushën e lojërave të fatit.

Përveç rasteve të kallëzuara, dëmi në total i shkeljeve të bëra nga bizneset ndaj të ardhurave tatimore zë vlerën e 100 milionë dollarëve, shifër e barabartë me atë të mosrealizimit të taksave nga kjo administratë.

Tv Klan