Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka emëruar një Prokuror të posaçëm për të drejtuar hetimin lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet Amerikane. Pas presionit të madh të demokratëve lidhur me garancitë për një hetim të pandikuar, në krye të hetimit vjen ish – drejtori i FBI – së Robert Mueller.

Pas shkakrimit të drejtorit të FBI – së James Comey nga Presidenti Trump dhe sidomos pas informacioneve se më parë Trump i kishte kërkuar Comey – t të ndërpriste hetimet për bashkëpunimin me Rusët të ish – këshilltarit të tij për sigurinë Michael Flynn, u shtuan thirrjet për një hetim që të drejtohej nga jashtë Departamentit të Drejtësisë.

Vendosja e Robert Mueller në krye të hetimit synon të qetësoje kritikat dhe mosbesimin te administrata Trump për zhvillimin e papenguar të hetimit. Vetë Trump tha se shpreson që hetimi të jetë i shpejtë dhe të konfirmojë atë që siç thotë ai është e ditur, pra që Rusët nuk kanë pasur asnjë bashkëpunim me stafin e fushatës së Trump. Robert Mueller ka marrë vlerësimin e të dyja palëve të politikës për reputacionin e tij si figurë e ndershme dhe e paanshme.

/Tv Klan