Një tjetër vepër energjetike do të ndërtohet në veri të Shqipërisë. Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka shpallur fituese një shoqëri me seli në Irlandë, por që është bashkimi i një firme turke, shqiptare dhe irlandeze.

Ajo do të do ta ndërtojë hidrocentralin mbi lumin Shalë.

Firma do të investojë 100 milionë dollarë për të ndërtuar këtë vepër, e cila pritet të përfundojë brenda 3 vitesh.

Lartësia dhe kuotat ujëmbledhëse të hidrocentralit janë propozuar të jenë në të njëjtin nivel me atë të Komanit, 176 metra mbi nivelin e detit, ndërsa fuqia e instalimit do të jetë më e madhja e ndërtuar deri më sot nga sektori privat.

Me fuqinë 83 mijë kilovat, HEC-i Shalës ia kalon edhe Ashtës e Devollit. Kontrata që shteti shqiptar do të lidhë me kompaninë është e formës partneritet publik privat dhe shfrytëzimi do të bëhet për 35 vjet, aq sa është edhe maksimumi që lejon ligji për koncesionet.

Burimet pranë Ministrisë së Energjisë thonë për Televizion Klan se kompania që ka marrë përsipër ndërtimin e veprës duhet që të sigurojë edhe leje mjedisore përpara se të fillojë punimet si dhe të marrë pëlqimin e banorëve të zonës përreth./Tv Klan