Zyra europiane për luftimin e korrupsionit, do të certifikojë disa çështje të dyshimta korrupsioni që shohin të përfshirë ish-presidentin e parlamentit Europian Martin Schulz.

Një zëdhënëse e kësaj zyre ka konfirmuar se do të sqarohen disa informacione të publikuara nga mediat gjermane dhe që kanë hedhur hije dyshime mbi kandidatin e SPD-së për kancelarinë gjermane.

Në fushatën elektorale kundër Kancelares Angela Merkel (CDU), Schulz do të mbledhë pikë me temën e drejtësisë. Kurse tani, 61-vjeçari duhet t’i përgjigjet pyetjes se a është e drejtë që të paktën një bashkëpunëtor i tij merrte çdo muaj shtesa të patatueshme mbi rrogën në shumën 2200 euro, kurse të tjerët merrnin mesatarisht 500 euro.

Ndër mediat e para që kanë shkruar për këtë çështje është “Stern”, ndërsa kohët e fundit “Spiegel” shkruan për disa favore nga ana e Schulz për disa nga njerëzit e tij më besnikë gjatë periudhës së presidencës së parlamentit europian.

Në mënyrë të veçantë Schulz ka favorizuar karrierën e bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë Markus Engels, por dhe të tjerëve.

Zyra e BE për Luftimin e Korrupsionit do ta analizojë këtë situatë për të konstatuar “nëse ekziston një dyshim i mjaftueshëm për mashtrim, korrupsion ose ndonjë aktivitet ilegal”, i cili prek interesat financiare të BE, tha një zëdhënëse.

Vetëm pas kësaj do të vendoset a do të hapet një proces hetimor zyrtar. Administrata aktuale e Parlamentit, sipas të dhënave të saj nuk sheh shkelje juridike të ish-Presidentit të saj. Por Zyra e pavarur e BE nuk është e lidhur me këtë gjykim. Vetë Schulz nuk ka dhënë asnjë deklaratë për këtë çështje. /tvklan.al