Agim Gjergji, një qytetar nga Durrësi, ankohet në emisionin “STOP” se pas një kalvari gjyqësor për 500 metra tokë, arrin t’i njihet prona nga gjykata, por tani nuk ia regjistron hipoteka e Durrësit. Edison Jonuzi, përgjegjës në hipotekë, pranon se kanë kaluar të gjitha afatet për regjistrim. Ai thotë se është pezulluar nga detyra specialisti, që duhet të kryente procedurën. Pas disa ditësh, Agim Gjergji merr më në fund çertifikatën e pronësisë që priste prej vitesh dhe falenderon emisionin “STOP” për zgjidhjen.             

“Unë kam blerë një pronë në 2001, rreth 500 metra katror dhe e kam blerë në bazë të të gjithë rregullave, me kontartë shitje dhe pronësia kaloi në emrin tim me çertifikatë. Rreth vitit 2010 marr vesh që është bërë një mbivendosje dhe u detyrova ta çoj çështjen në gjyq. E çova në shkallën e parë dhe fitova të drejtën, pala kundërshtare u ankua në apel edhe aty e fitova, gjithashtu edhe në GJykatën e Lartë. Kam aplikuar në hipotekë të Durrësit për të kaluar në emrin tim pronësia, por nuk gjej zbatim.”

Gazetarja – Përse nuk po zbatohet ky vendim?

“Edhe unë nuk po e marr vesh. Një zvarritje totale, një stres i jashtëzakonshëm! Kam takuar disa herë të gjithë ata përpunues, edhe drejtorin e hipotekës kam takuar. Ai më është shprehur që do të bëhet, por faktikisht deri më sot e kësaj dite nuk po gjen zbatim! Çdo gjë është në bazë të rregullave, prandaj u detyrova t’i drejtohem emisionit “STOP”.”

Agimi shprehet se edhe pse Përmbaruesi Gjyqësor Eduart Allamani i ka dërguar tre shkresa Zyrës Vendore Të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, ku thuhet se Agim Gkergji duhet të njihet si pronar i kësaj toke, pas 5 vitesh ende nuk është zbatuar.

 

 

Gazetarja e emisionit “STOP” i është drejtuar Zyrës Vendore Të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, ku ka komunikuar me Edison Jonuzin, përgjegjësin e sektorit të hipotekës në Durrës, i cili thotë se në bazë të bazë të ankesës që është paraqitur nga Agim Gjergji, janë marrë masat për verifikimin e afateve të praktikave dhe ka rezultur se specialisti, që ka patur në ngarkim këtë çështje, ka kaluar afatet për ekzekutimin e vendimit.

 

“Për këtë shkelje, sipas ligjit të regjistrimit dhe rregullores së ZVRPP, është marrë masa për pezullimin e tij nga detyra dhe dërgimi i propozimit të largimit nga detyra. Ndërkohë, është urdhëruar rishpërndarja e kësaj praktike në një grup tjetër pune dhe besoj se brenda javës që vjen, ne do të kemi një përgjigje lidhur me zbatimin e vendimit të gjykatës.”

 

 

Pas rreth 5 vitesh peripecish, falë emisionit “STOP”, Agim Gjergji mori çertifikatën e pronësisë dhe quhet zyrtarisht pronar i kësaj toke!/tvklan.al