Kanë përshkuar 128 kilometra në këmbë dhe kanë ecur për më shumë se tre ditë. Banorët e fshatit Zharrëz tregojnë se këtë stërmundim të ditëve të grevës, e më pas të marshimit drejt Tiranës, e bëjnë për fëmijët dhe tokën e tyre.

Elton Gremi thotë se ndihet i lodhur nga rruga, edhe pse mbërritja në destinacion i ka dhënë më shumë forcë. Ai tregon se nuk kishte frikë as nga rruga e gjatë e as nga shiu, pasi këtë rrugë po e bën për djalin e tij, i cili është me pompë azme që sa ishte 9 muajsh.

Kur kujton gjendjen se si e ka lënë shtëpinë e tij në fshat, të cilën e ka ndërtuar me paratë e emigracionit Eltoni thotë se nuk ka kthim pas për të.

Banorët e Zharrëz thonë se janë autoktonë në tokat e tyre, edhe pse e dinë që largimi i kompanisë nga fushat e naftës në Patos Marinëz ka kosto të mëdha financiare për buxhetin e shtetit, prandaj ata duan një zgjidhje përfundimtare: ose largim të tyre ose të kompanisë. Kontrata me koncesionarin Bankers është nënshkruar në vitin 2004, por ka më shumë se 10 vite që banorët kërkojnë largimin e saj, duke e akuzuar se operacionet e nxjerrjes së naftës shkaktojnë tërmete. Bankers nga ana e saj thotë se lëkundjet janë natyrore.

Tv Klan