Rrugëtimi i Kombëtares deri në pjesëmarrjen historike në fazën e grupeve të finaleve të kampionatit Europian nisi në shtator të 2014 me fitoren surprizë ndaj Portugalisë në fushën e tyre. Goli i Bekim Balajt ngjalli shpresën se skuadra do të konkurronte si e barabartë me ekipet e tjera.

Në tetor të 2014 erdhi barazimi me Danimarkën. Tre ditë më pas përfaqësuesja udhëtoi drejt Serbisë. Në fundin e pjesës së parë, atëherë kur kuqezinjtë i tejkaluan emocionet e stadiumit të Beogradit, droni i Ismail Morinës me simbole kombëtare dhe irritimi i futbollistëve fillimisht e më pas i tifozerisë serbe solli ndërprerjen e ndeshjes.

Pas një kalvari të gjatë në gjykata, drejtësia sportive i dha të drejtë Shqipërisë duke i dhënë fitoren në tavolinë 3-0. Portugalia e pati të vështirë të arrijë fitoren nw Elbasan pasi kuqezinjtë rezistuan deri në minutën e 92. Edhe pse humbja me Serbinë nuk u përjetua mirë, shpresat ishin ende të gjalla për ndeshjen e fundit me Armeninë. Kuqezinjtë u kthyen fitimtarë me tre gola dhe kualifikimin.

Për Kombëtaren u rezervua një pritje madhështore në kryeqytet. Tre ndeshjet e përfaqësueses në fazën finale të Europianit u cilësuan si mjaft të mira, por ndaj Zvicrës, mbi futbollistët e përfaqësuese rënduan emocionet dhe mungesa e eksperiencës në kompeticione të tilla.

Përballja me Francën bëri që të gjithë mediat ndërkombëtare të flisnin për Shqipërinë dhe të shprehnin keqardhjen që një ekipi shqiptar humbi këtë ndeshje. Kuqezinjtë justifikuan gjithë mbështetjen e tifozerisë shqiptare me fitoren me Rumaninë.

Shpresat për një kualifikim të mundshëm për në fazën tjetër si një nga ekipet e vendeve të treta në grupe zgjaten deri në ndeshjen Hungari – Portugali. Ky ishte pjesëmarrja e parë e kombëtares tashmë me ambicie të shtuara. /TV KLAN