Xhudistja Majlinda Kelmendi e ka shkruar emrin e saj me germa të arta në historinë e sportit të Kosovës.

Ajo ka triumfuar në Lojërat Olimpike që po zhvillohen në Brazil duke bërë krenarë të gjithë shqiptarët. Kelmendi mori medaljen e artë për peshën deri në 52 kilogramë, duke mposhtur pastër në finale italianen Odette Giuffrida.

Pas konfirmimit të fitores shqiptarja nuk i mbajti dot lotët.

Kelmendi eliminoi pa shumë probleme fillimisht zviceranen Evelin Shop dhe më pas rivalen nga Mauricius, Kristin Legentil. Suksesi në takimin çerekfinal u vendos pas fauelleve të shumta të kundërshtares së Majlinda Kelmendit.

Ishte pikërisht kjo sportiste që e eliminoi xhudisten në Londër në vitin 2012, atëherë kur garonte për Shqipërinë.

Në gjysmëfinale Kelmendi gjeti xhudisten japoneze, Misato Nakamura që e kaloi jo pa vështirësi. Gjithsesi Kelmendi i ka dhënë tashmë vendit të saj medaljen e parë të artë.

Tv Klan