Humbja me Shqipërinë është pika që mbushi gotën, një tjetër zhgënjim dhe duket se turqit do të marrin masa drastike. Lajmi i fundit që raportohet në mediat turke është takimi me urgjencë që presidenti i federatës Yildirim Demiroren, ka kërkuar me trajnerin Mircea Lucescu.

Menjëherë pas ndeshjes në Antalya, rumuni i është drejtuar Stambollit për tu takuar me presidentin e federatës për të diskutuar mbi gjendjen e skuadrës, sikurse raportojnë mediat. Takimi mes tyre ishte parashikuar për një tjetër moment, por mesa duket humbja ndaj Shqipërisë nuk është përtypur duke përshpejtuar diskutimin mbi atë që në Turqi e konsiderojnë si pozicioni përfundimtar i kombëtares.

Disa prej ndeshjeve të fundit kanë sjellë kritika ndaj trajnerit dhe kërkojnë largimin e tij nga drejtimi i kombëtares turke.

Mircea Lucescu: 

“E di mirë se çfarë po bej, po ndërtoj një ekip që do të shkojë në europian. Po përpiqem që të gjithë futbollistët të jenë në të njëjtin drejtim. Fillimisht të kontrollojmë lojën pastaj të kërkojmë rezultatin. Kam shumë përvojë dhe nuk shqetësohem nga fjalët se mund të zëvendësohem si trajner. Kemi shumë punë për të bërë dhe këtë duhet ta bëjmë të gjithë së bashku”.

 Christian Panucci vlerësoi edhe një herë futbollistët për impenjimin.

 Christian Panucci: 

“Besoj që zhvilluam një pjesë të parë të mirë, pasi mbetëm me 10 lojtarët vuajtëm, por kur shënuam golin e tretë arritëm të bënim tonën ndeshjen. Jam i kënaqur me ekipin tim dhe për punën që kemi bërë këto ditë”.

Kritikët e futbollit turk, sugjerojnë rikthimin në stolin e përfaqësueses të trajnerit aktual të Besiktas, Şenol Güneş. Me teknikun tashmë 65-vjeçar, Turqia arriti deri në vendin e tretë në kupën e botës të 2002.

Tv Klan