Tani është zyrtare. Tratativat që vijonin prej muajsh janë mbyllur me firmën në kontratën e re të Elseid Hysaj.

Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare rinovoi me Napolin, duke u lidhur me klubin italian deri në vitin 2021. Lajmi është konfirmuar nga mediat përtej Adriatikut, që kanë zbuluar edhe detajet e kontratës së re.

Ashtu siç pritej, Hysaj ka bindur Napolin të rrisë ndjeshëm të ardhurat personale, duke siguruar një pagë 2 milion euro në sezon. Konfirmohet edhe klauzola shumë e përfolur që e bën të vështirë prishjen e kontratës në mënyrë të njëanshme nga ana e futbollistit.

Kështu është vendosur shuma 50 milionë euro për kartonin e mbrojtësit, nëse ky i fundit do të vendoste të largohej drejt një kampionati të huaj.

Marrëveshja në të gjitha këto detaje kanë bërë që tratativat mes palëve të kenë një fund të lumtur. Nga njëra anë Hysaj arriti të marrë vlerësimin e duhur sa i përket financave, ndërsa klubi largoi çdo dyshim në lidhje me të ardhmen e futbollistit 22 – vjeçar.

Elseid Hysaj u transferua te Napoli sezonin e shkuar për 5 milionë euro, por menjëherë u kthye në një nga pikat më të forta të skuadrës së tij dhe një nga mbrojtësit e krahut të djathtë më të mirë të Serisë A. Paraqitjet e tij kanë rritur ndjeshëm edhe vlerën e kartonin, që tani vlerësohet jo më pak se 25 milionë.

Tv Klan