Genti Nderjaku i arrestuar dy ditë më parë sëbashku me Marjel Fierzën, ishte i pajisur me leje për mbajtje të armës vetëm në banesë. Dalja e tij jashtë mureve të shtëpisë bashkë me armën, bëri që të shkelte ligjin dhe të arrestohej për këtë fakt.

Kështu shprehet policia e Durrësit në një reagim të sajin, lidhur me raportimet se Nderjaku, kishte autorizim për armën që mbante me vete.

“Sqarim. Në vijim të njoftimit të dhënë më datë 03.10.2017 ku u arrestuan në flagrancë shtetasit Marjel Fierza dhe Genti Nderjaku, bëjmë me dije se: Shtetasi Genti Nderjaku është pajisur me leje për mbajtje arme zjarri VETËM në BANESË. Bazuar në autorizim e dhënë shtetasit të mësipërm i lejohet majtja e armës vetëm në banese. Ai ka dalë jashtë banesës me armën me vete duke konsumuar në këtë mënyrë veprën penale”Armëmbajtje pa leje

“, thotë policia e në një njoftim të sajin.

Teksa thotë se Nderjaku nuk ka precedentë penalë të mëparshëm, policia sqaron se në momentin e ndalimit, ai nuk ka paraqitur autorizimin e dhënë nga autoritetet për armën.

“Nderjaku është arrestuar nga Efektivet e Policisë Durrës pasi ai ishte pasagjer në mjetin tip ” Porsche” me drejtues shtetasin Mariel Fierza dhe gjatë kontrollit të mjetit iu gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri Bereta, njëra prej të cilave e dhënë me leje shtetasit G.Nderjaku. Shtetasi Genti Nderjaku në momentin e arrestimit nuk ka paraqitur autorizimin e dhënë nga organet kompetente mbi ushtrimin e së drejtës për mbajtjen e armës”.

Data e lëshimit të autorizimit për pistoletën Bereta, model PX4 STORM është 23 Gushti i këtij viti dhe sipas autoriteteve, Nderjaku e ka përfituar lejen për mbajtje arme me leje vetëm në banesë, pasi ka përmbushur të gjitha kriteret që parashikon ligji.

Sa i përket të arrestuarit tjetër, Marjel Fierza, sipas njoftimit zyrtar, ai nuk disponon autorizim për mbajtje arme zjarri.

“Të gjitha veprimet e uniformave blu janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës”,

sqaron më tej Policia e Durrësit./tvklan.al