Ky është momenti kur Mikel Kasa arratiset nga salla e gjyqit, në Gjykatën e Vlorës. Ora në kameran e sigurisë së sallës shënon 10:22 minuta e 3 sekonda.

Sapo dëgjon vendimin e gjyqtarit për dënimin me 3 vjet e 4 muaj burg, për heqje të lirisë së tjetrit, 29-vjeçari hipën mbi tavolinë, i drejtohet derës së sallës që ndodhet në katin e dytë.

Dy efektivë të Policisë së Burgjeve dhe të afërm të tij që janë në sallë i vihen pas. Nuk arrijnë ta ndalin.

Nuk e ndalon dot as shoferi i kryetarit të gjykatës në korridor, pasi Kasa e qëllon me grusht.

I janë dashur 19 sekonda për të dalë jashtë rrethimit të gjykatës, siç shihet në orën që shënon një tjetër kamera sigurie e vendosur në derë të godinës.

Efektivë të Policisë së Burgjeve e ndjekin me vrap, por nuk arrijnë ta kapin. Dyshohet se s’ka pasur bashkëpunëtorë.

Kryetari i Gjykatës së Vlorës, Skënder Halucaj thotë se kjo ishte diçka e pritshme, pasi është ankuar disa herë për mungesën e sigurisë në gjykatë.

Policia shoqëroi tre efektivët e Policisë së Burgjeve që kishin për detyrë ruajtjen dhe transportimin e të dënuarit. Mike Kasa ishte arrestuar më 18 Tetor të vitit 2017 për pengmarrjen e një personi sëbashku me 3 bashkëpunëtorë të tjerë.

Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 5 vjet burg, por për shkak se kishte pranuar gjykimin e shkurtuar, ka përfituar faljen e 1/3 së dënimit. Dhjetëra forca të Policisë së Vlorës dhe agjentë të antikrimit janë vënë në kërkim, por deri tani nuk kanë mundur të bien në gjurmët e tij.

Tv Klan