I ftohti dhe epidemia gripale, bëhen pengesë edhe për ngjarjet kulturore. “Pasardhësi”, teatri i ndërtuar mbi veprën e Ismail Kadaresë, nën regjinë e maqedonasit Slobodan Unkovski dhe që ishte përcaktuar të ngjitej sonte në skenën e Teatrit Kombëtar u anulua.

Edhe pse në adresë të institucioneve të kulturës nuk ka një urdhër zyrtarë që pezullon përkohësisht shfaqjet, drejtuesit e Teatrit Kombëtar, vendosën që ngjitja në skenë e “Pasardhësit” të anulohet për të shmangur grumbullimet e njerëzve, në një kohë kur gripi është në shkallë të lartë përhapjeje. Kushteve jo të përshtatshme meteorologjike dhe atyre shëndetësore, i bashkohet edhe gjendja fizike jo e mirë në të cilën ndodhet sot Teatri Kombëtar.

Për shkak të amortizimit, është e vështirë të garantosh një ambient të gjithin të ngrohtë, si për spektatorët dhe aktorët të cilët gjatë muajve të fundit të 2016-ës u përballën edhe me ndërprerjen e energjisë elektrike gjatë shfaqjeve. Temperaturat e ulëta dhe epidemia e gripit i mohuan publikut shqiptar, një shfaqje që pas 27 vitesh të rënies së komunizmit, portretizon Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun në përshtatjen që dramaturgu Goran Stefanovski i ka bërë veprës së Ismail Kadaresë.

Në premierën që pati në Kosovën pak ditë para vitit të ri dhe ku temperaturat ishin të acarta, ngjarjet që zhvillohen në shtëpinë ku u gjet i vdekur Mehmet Shehu dhe që interpretohet nga emrat më të mirë të teatrit kosovar, shkaktoi reagime të publikut që në fund e duartrokiti, shkruajnë mediat kosovare.

Tv Klan