europe i ftohti

I ftohti i acartë ka mbërritur në Europë. Jo vetëm në Rusi, Balltik, apo Skandinavi, ku prej më shumë se një muaji temperaturat janë nën 0. Ngrica ka mbërthyer edhe Europën Qendrore dhe atë Perëndimore. Reshje të dendura dëbore janë regjistruar në Francë, Gjermani, Austri  e Zvicër.

Një ortek në Alpet franceze ka marrë jetën e 5 ushtarëve, të cilët po kryenin seanca stërvitore në Valfrezhys, pranë kufirit me Italinë. Mediat franceze shkruajnë se dhjetra forca ushtarake stërviten në atë zonë, në rreth 2.200 metra lartësi.

Në Britaninë e Madhe, një vajzë 15-vjeçare humbi jetën si pasojë e një aksidenti në det. Në shumë rajone të ishullit, dëbora ka bllokuar qarkullimin, ndërsa autoritetet kanë bërë thirrje që qytetarët të limitojnë lëvizjet.

Kompanitë më të mëdha të fluturimeve në Europë kanë anuluar udhëtimet e tyre. Në Turqi “Turkish Airlines” anuloi mbi 200 fluturime si pasojë e ngricës dhe reshjeve të dëborës.

Gjendja emergjente për shkak të të ftohtit ka kapur edhe Gadishullin e Ballkanit. Në Bullgari, temometri kanë arritur deri në -10 gradë celcius, në kryeqytetin bullgar, Sofie, dëbora arrit deri në gjysmë metri lartësi.

Tv Klan