Prokuroria për Krime të Rënda ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim kancelaren e Gjykatës së Apelit në Durrës, Suzana Mandija.

Ajo akuzohet për korrupsion pasiv. Mandija, sipas prokurorisë, i ka marrë një shumë parash një shtetasi, me qëllim që të afronte datën e gjyqit civil që kishte në Gjykatën e Apelit të Durrësit.

Sipas hetimit, kallëzuesi ka takuar në gjykatë kancelarin, e cila ka thënë se do ta ndihmonte për afrimin e datës së gjyqit ,ndërsa për gjyqtarët nuk e merrte përsipër, duke lënë të nënkuptohej se do të flisnin përsëri për këtë çështje.

Pavarësisht kësaj, ndikimin tek trupa gjyqësore prokuroria nuk arriti ta faktojë. Gjithashtu, prokuroria dërgon për gjykim edhe shtetasin Gëzim Shala.

Ai akuzohet për ushtrim ndikimi të paligjshëm. Ky shtetas ka ndërhyrë tek kancelarja Mandija për të “ndihmuar” qytetarin, që kërkonte shqyrtimin e çështjes së tij në një kohë sa më të shpejtë, kundrejt një shume parash./TV KLAN