Ata udhëtonin me motor kur dy automjete i zunë rrugën e pasi i përplasën dhe i hodhën në kanal, dolën nga makinat dhe i dhunuan fizikisht.

Ngjan si një skenë filmi, por në fakt bëhet fjalë për një ngjarje të vërtetë të ndodhur ditën e djeshme rreth orës 12:30 në aksin rrugor Shkodër – Velipojë, në fshatin Trush.

Policia mori fillimisht njoftimin se në këtë vend kishte ndodhur një aksident, por nga hetimet rezultoi se në fakt bëhej fjalë për një tentativë vrasje.

Burime zyrtare bëjnë të ditur se Femih Gjorreta udhëtonte me një Benz ndërsa Admir Gjorreta me një Audi, kur i dolën përpara dhe përplasën F.J. 31 vjeç dhe A.J. 19 -vjeç, të cilët lëviznin me një motorçikletë.

Si pasojë e përplasjes këta të fundit përfunduan në kanal. Por kjo nuk ka mjaftuar për dy drejtuesit e mjeteve, që kanë zbritur dhe me mjete të forta kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tyre duke u shkaktuar dëmtime të rënda.

Aktualisht 2 të lënduarit ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Sipas policisë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një konflikti të mëparshëm për motive të dobëta.

Efektivët e Shkodrës arrestuan autorët e dyshuar të kësaj ngjarje, Femih Gjorreta, 23 – vjeç dhe Admir Gjorretaj, 23 – vjeç, të dy banues në fshatin Trush, Shkodër

Gjithashtu u shpallën në kërkim dhe po punohet për kapjen e G.Gj. 32 – vjeç dhe E.Gj. 27 – vjeç.

Policia sekuestroi gjithashtu dy automjetet e autorëve, motorin e të dëmtuarve, një krëhër pistolete model 54 me 8 copë fishekë, një shkop bejzbolli dhe një pistoletë manovër./tvklan.al