Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus ka trajtuar një konflikt pronësie në familjen Prendi në Lezhë. Një familje prej 9 anëtarësh është në konflikt me njëri-tjetrin për shkak të ndarjes së tokës në fshatin Grykëzezë.

Nëna, Mrike Prendi është divorcuar me bashkëshortin pas 50 vitesh martesë. Ajo jeton me njërin prej djemve të saj, Bardhokun. Kurse me pjesëtarët e tjerë të familjes nuk flasin.

Znj.Mrike Prendi thotë se është dhunuar për vite me radhë nga bashkëshorti dhe dy vite më parë bëri denoncim ndaj tij.

Mrike Prendi tregon edhe një histori të dhimbshme, që nuk mundi të shkonte në varrimin e njërit prej djemve të saj që u nda nga jeta për shkak të sëmundjes pak kohë më parë.

Spartak Koka: Në datën 25.7.2018 është paraqitur Mrike Prendi dhe keni bërë një kallëzim ndaj ish-bashkëshortit tuaj, z.Ndue Prendi. Dhe rezulton që janë të martuar prej disa vitesh me njëri-tjetrin dhe kanë 7 fëmijë të cilët janë madhorë. Ata jetojnë bashkë në Grykëzezë, ndërsa fëmijët të ndarë nga prindërit. Sipas shpjegimeve që ju keni dhënë, rezulton se i padituri ushtron dhunë psikologjike ndaj paditëses duke qenë se e ofendon, e fyen dhe i bërtet. Paditësja deklaron se më datë 24 rreth orës 22:30, bashkëshorti e ka sharë dhe e ka ofenduar me fjalë nga më të ndryshmet. Gjithashtu paditësja sqaron se bashkëshorti i saj ka ushtruar vazhdimisht dhe dhunë fizike ndaj saj. Por asnjëherë nuk ka bërë kallëzim. Pse nuk keni bërë kallëzim? Kishit frikë?

Mrike Prendi: Kishim frikë vetëm prindin te shtëpia ime. Kam pasur një babë që s’e ka pasur kush si unë.

Spartak Koka: I padituri Ndue Prendi në këtë rast deklaron se ka pasur mosmarrëveshje me bashkëshorten e tij, por nuk ka ushtruar dhunë thotë. Dhe fëmijët po ndërhyjnë mes tyre duke nxitur edhe konflikte. Pra, sipas tij janë fëmijët që po ju nxisnin drejt konfliktit me njëri-tjetrin.

Mrike Prendi: Jo, jo…

Spartak Koka: Tani me Bardhokun (djali) po kërkoni vetëm drejtësi?

Mrike Prendi: Vetëm drejtësi që mos të kem frikë të dal në derë të shtëpisë. Vjen këtu..me urdhër mbrojtje dhe vjen. I thashë, ik mor këput qafën mos të shof këtu.

Spartak Koka: Kush po e mban tani? Djali tjetër?

Mrike Prendi: Djali i vogël, Gjergji e mban.

Spartak Koka: Po me Gjergjin ke komunikim?

Mrike Prendi: Jo jo.

Spartak Koka: Me kë po mban komunikim? Vetëm me Bardhokun?

Mrike Prendi: Vetëm me Bardhokun dhe vajzat që kam në Greqi.

Spartak Koka: Sa fëmijë ke?

Mrike Prendi: 6 se i 7-ti më ka vdek. S’ia kam parë fytyrën djalit që më ka ik.

Spartak Koka: Pse? Nuk shkove në varrim?

Mrike Prendi: Jo.

Spartak Koka: Nuk të lanë apo nuk shkove?

Mrike Prendi: Nuk më la…

Spartak Koka: Nga se vdiq djali?

Mrike Prendi: Ai ka vuajtur gjithmonë nga veshkat.

Spartak Koka: Në çfarë moshe vdiq?

Mrike Prendi: 39 vjeç.

Spartak Koka: Pse nuk shkove në varrim?

Mrike Prendi: Nuk kishim si të shkonim në varrim. Erdhi djali i dajës tim të më merrte të më çonte në varrim, por nuk donin ta shikonin nënën këto.

Spartak Koka: Si e kishte emrin djali që vdiq?

Mrike Prendi: Aleks.

Spartak Koka: La fëmijë?

Mrike Prendi: Ka lënë dy vajza dhe një djalë.

Spartak Koka: Po nuk shkove dot? Kishe frikë?

Mrike Prendi: Kishim frikë… Nuk më ndali kush mua, u ndala vetë unë mos të shkoja në varrim prej debatit. Mos të krijoja debat.

Spartak Koka: Si e përjetove atë ditë?

Mrike Prendi: Si s’më bie pika…   /tvklan.al