Atentatori i 6 qershorit ndaj Florenc Çapes dhe Bledar Muçës ka tashmë një emër. Strukturat qendrore të hetimit në policinë e shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda e kanë identifikuar atë si shtetasin Sh. H, 25 vjeç. Ai jeton prej disa vitesh në qytetin e Elbasanit.

Provat shkencore dhe ato të siguruara në rrugë operative i kanë çuar hetuesit tek ky person, që u filmua edhe nga një kamera sigurie duke u larguar me vrap pasi i qëlloi dy të rinj me kallashnikov, duke lënë të plagosur Bledar Muçen dhe një punonjëse policie që po kalonte rastësisht pranë ish -spitalit kirurgjik, pak metra larg prokurorisë dhe policisë.

Burime nga grupi hetimor bënë të ditur për Tv Klan se fillimisht në gjurmët e Sh.H është rënë në rrugë operative.

Më pas profili i tij ka dalë edhe nga analizat e ADN.

Gjurmë të ADN –së së tij janë marrë nga një palë doreza, një xhup dhe një kapuç, që i ka përdorur në atentatin e 6 qershorit dhe që u gjeten nga policia pas krimit. Ato janë krahasuar me ADN –në e 25 vjeçarit që i ishte marrë nga strukturat hetimore në një vend anëtar të Bashkimit Europian, ku ai ishte dënuar për trafik droge.

Pas kësaj, është bërë shpallja e tij në kërkim ndërkombëtar, për shkak se Sh.H rezulton të ketë dalë jashtë Shqipërisë.

Burime nga grupi hetimor thane për Tv Klan se 25 –vjeçari dyshohet të ketë vepruar për llogari të një grupi kriminal qe merret me trafikun e drogave të forta në Elbasan. Persona të tjerë të dyshuar si anëtare të këtij grupi mësohet se janë nën hetim.

Sipas hetuesve, dyshohet përplasjet që çuan në atentatin e dështuar kane ardhur pikërisht për shkak të këtij aktiviteti të paligjshëm që ushtrojnë palët.

I njëjti person pritet të verifikohet nëse ka lidhje edhe me ngjarjen e 3 shkurtit të vitit 2016, ku mbetën të vrarë 4 persona dhe u plagosën rëndë shtatë të tjerë nga familja Çapja dhe miq të tyre.

Në këtë ngjarje u plagosën edhe Florenc Çapja e Bledar Muça. Veç kësaj piste policia ka hetuar më parë edhe atë të një konflikti me familjeve Çapja e Mema, i cili daton prej vitit 2005 dhe ka shkaktuar 9  viktima.

/ TV KLAN