Policia gjermane ka identifikuar autorin e sulmit ku mbetën të vrarë 9 persona dhe më shumë se 10 të tjerë u plagosën në Mynih të Gjermanisë, gjatë mbrëmjes së ditës së premtes në një qendër tregtare.

Autori është një 18-vjeçar iranian, i cili jetonte në Mynih, ndërsa motivet e ngjarjes ende janë të paqarta. Trupi i pajetë i autorit është gjetur rreth 1 kilometër larg vendit të ngjarjes. Mediat raportojnë se ai ishte vetëvrarë me një plumb në kokë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka thirrur për sot një takim urgjent të Këshillit të saj të sigurisë për të diskutuar mbi masakrën.

“Bëhet fjalë për një sulm çnjerëzor dhe mizor,” dhe nuk përjashtohen motivet terroriste, tha Peter Altmaier, shefi i kabinetit të zonjës Merkel. Shtetet e Bashkuara deklaruan se ajo që ndodhi në Munich ishte “një sulm i qartë terrorist”, që duhet të dënohet në mënyrën më të fuqishme.

Presidenti Barack Obama shprehu keqardhje për viktimat, duke komentuar në një takim të zyrtarëve të zbatimit të ligjit. Ai tha: “Zemrat tona janë pranë atyre që mund të jenë plagosur.” Presidenti premtoi të gjithë mbështetjen e mundshme për Gjermaninë, një nga aleatet më të ngushta të Shteteve të Bashkuara.

/tvklan.al