Mediat italiane kanë identifikuar autorin e tretë të dyshuar të sulmit terrorist në Londër që ndodhi të shtunën, ku humbën jetën 7 persona.

“Corriere.it” shkruan se ai është Youssef Zaghba 22 vjeç, me baba maroken dhe të ëmën italiane. Në vitin 2016, ai u ndalua në aeroportin e Bolonjës për të udhëtuar drejt Turqisë e më pas me destinacion përfundimtar Sirinë. Prindërit e tij kishin jetuar më parë në Marok dhe kur u divorcuan nëna e tij u kthye në Bolonja, Itali.

Youssef Zaghba kishte shkuar disa herë në Bolonja për të takuar mamanë e tij dhe në mars 2016 ai u akuzua për terrorizëm ndërkombëtar. Ai u lirua më vonë nga kjo akuzë, por Italia e ka ende në listën e personave të rrezikshëm. Pas Italisë, ai kishte shkuar në Britani të Madhe ku filloi punë sezonale në një restorant në Londër.

22-vjeçari vazhdonte të mbante kontakte me të ëmën dhe hera e fundit që ka qenë në Itali ishte viti i kaluar. Dy terroristët e tjerë që janë identifikuar janë Khuram Shazad Butt dhe Rachid Redouane. /tvklan.al