Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka shembur me tritol tre kulla pranë stacionit të trenit, për t’i hapur rrugë punimeve për Bulevardin e Ri të Tiranës.

Shpërthimi ka qenë i fuqishëm, por është kryer pa krijuar dëme për banesat rrotull saj.

Për shembjen e kullave nga 30 metra të larta u hapën 120 vrima dhe u përdorën 10 kilogramë tritol në gjithë sipërfaqen e saj.

Për shkak të materialit të fortë të ndërtesave, shembja është bërë e pjesshme vetëm në pjesën e bazamentit dhe me pas do të shembet gradualisht në ditët në vijim.

Drejtoresha e IKMT, Dallandyshe Bici

: “Kjo mënyrë e shembjes ishte e planifikuar nga ekspertët. Para se të bëhej shpërthimi është studiuar ambienti dhe objektet përreth dhe u vendos që kjo ishte mënyra më e mirë e shembjes. Jo vetëm në Bashkinë e Tiranës, por në të gjitha bashkitë e qyteteve do të jemi  të gatshëm të bashkëpunojmë.

Para  shumë kohësh kullat përdoreshin për të mbajtur ngarkesa të rënda, ndërsa së fundmi  nuk kryente  asnjë funksion.”

IKMT thotë se do të jetë e gatshme të bashkëpunojë me bashkinë, për të vijuar me të tjera shembje nëse do të jetë e nevoshme për t’i shërbyer projekteve.

Tv Klan