Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar impiantet e djegies së mbeturinave në Elbasan dhe në Fier duke akuzuar Qeverinë për aferë korruptive.

Gjatë fjalës në seancën e sotme parlamentare, Berisha deklaroi se koncesionin për impiantin e djegieve të mbeturinave në Elbasan e mori jashtë çdo kriteri Klodian Zoto. Sipas Berishës, koncesionin u dha me vendim të Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Financave Arben Ahmetaj.

Ndërsa pas impiantit në Elbasan, ish-Kryeministri Berisha deklaroi se Klodian Zoto mori impiantin e Fierit sërish në kundërshtim me ligjet e vendit.

“Në vitin 2015, një kompani ofrohet dhe kërkon të ndërtojë djegësin e Elbasanit. Në kundërshtim me çdo ligj, kjo qeveri me Edi Ramën dhe Arben Ahmetajn dhe me ministrin Koka brenda një dite në kundërshtim me ligjin që kërkon tender ndërkombëtar, bëjnë 9 veprime dhe ja japin tenderin atij që deshën. Klodian Zoto, njeriu i Arben Ahmetajt. Ky zotëri e merr me 22 milionë Euro djegësin e Elbasanit.

Po ky zotëri më Dhjetor 2016 e shet koncesionin me 16 milionë një italiani dhe fut në xhep 7 milionë Euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Në botë kjo s’mund të ndodhë kurrë. I vodhën këto. Po ku ngopen. Nga djegësi i Elbasanit, rroftë djegësi i Fierit. Ja dhanë po Klodian Zotos. Sa i dhanë? 28 milionë Euro. Këtu i keni dokumentet. Çfarë bëri Zoto? Ja shiti italianit të tij Fonio me 15 milionë Euro. Sa futi në xhep? 13 milionë Euro. Në kundërshtim flagrant me çdo lloj procedure.

A është vendosur një tullë për këtë vepër në Fier? As dhe një tullë e vetme. Kompania ka marrë 6 milionë Euro pa marrë akoma lejen e ndërtimit. Vendi do shkojë drejt një destabilizimi. 6 milionë Euro vjedhje, ai ndan paratë me Kryeministrin. Djegësi në Tiranë do të jetë 128 milionë Euro. Në buxhet kanë përcaktuar 10 milionë Euro për këtë vit”,

u shpreh Berisha.

Ish-Kryeministri u kërkoi deputetëve socialistë që t’i kërkojnë llogari qeverisë për këto kontrata abuzive dhe të verifikojnë vërtetësinë e tyre.

“Nëse këto janë kështu siç them, duhet të ngriheni. Nuk lidhet burri pas mandatit”,

u shpreh Sali Berisha.

/tvklan.al