Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG) në Drenas, ka inauguruar objektin e ri, ku do të kenë mundësinë që aktivitetet e tyre t’i kryejnë në hapësira më të mira.

Në inaugurimin e këtij objekti të pranishëm ishin edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ish Presidentja Atifete Jahjaga, Ambasadori i ShBA-së, Greg Delawie, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairi O’Connell, si dhe deputetë e qytetarë të shumtë.

Në fjalën e tij, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se ky objekt do t’i shërbejë më mirë qendrës së grave të cilat, sipas tij, kanë një rol të rëndësishëm në shoqërinë kosovare.

“Uroj qe ky objekt i ri t’i shërbejë sa me mirë qendrës në punën e vet të rëndësishme për shoqërine kosovare”,

tha presidenti.

Thaçi përgëzoi qendrën për angazhimin e tyre për viktimat e luftës, duke falenderuar ish presidenten Jahjaga, SHBA – në dhe ambasadat.

Ndërsa, ish presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha se ky rrjet i grave ka mbështetur fuqishëm të drejtat e grave në Kosovë. Ajo tha se përkrahja e viktimave të luftës ndihmon Kosovën që të shkojë përpara, raportojnë mediat kosovare.

“Ky rrjet ka qenë mbeshtetës i fuqishëm i të drejtave të grave. Shpreh mirenjohjen që kryetarja e qendrës ka bërë punën e saj”,

tha ish presidentja e shtetit.

Përfaqësueset nga kjo qendër falenderuan të gjithë ata që ndihmuan në relizimin e këtij objekti, i cili sipas tyre, do të jetë ndihmë shumë e madhe për punën e tyre./tvklan.al