Në një pasqyrim të protestës së zhvilluar këtë të shtunë nga opozita, Policia e Shtetit thotë se gjithçka shkoi

“sipas parashikimeve dhe kërkesave të organizatorëve”.

Në reagimin e saj për mediat, Policia e Shtetit thotë se incidente pati drejt mbylljen së tubimit, duke çuar në lëndimin e 11 efektivëve të policisë, si dhe një prej protestuesve.

“Në përmbyllje të tubimit, së pari një grup personash para Kryeministrisë, tentuan të krijonin incidente me Policinë dhe më pas një grup protestuesish kanë tentuar të çajnë kordonin e forcave speciale të Policisë, në afërsi të godinës së Ministrisë së Brendshme. 

Mbi punonjësit e Policisë së Shtetit janë hedhur gurë dhe mjete të tjera rrethanore dhe mjaft prej tyre janë goditur me sende të forta. Për pasojë janë lënduar dhe po mbahen në mbikëqyrje mjekësore 11 efektivë policie, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Edhe mes tubuesve pati një të lënduar, i cili mori ndihmën mjekësore të nevojshme”.

Më tej policia thotë se si drejtuesit ashtu edhe punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët u angazhuan në menaxhimin dhe mbarëvajtjen e tubimit, e kryen këtë detyrë me profesionalizëm të spikatur dhe në përputhje me ligjet dhe rregullat në fuqi në Republikën e Shqipërisë, duke garantuar rendin dhe sigurinë publike, si dhe respektimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Ndërkohë, për hetimin e rasteve të dhunës së ushtruar është ngritur një grup i posaçëm hetimor. Ky grup, thotë policia, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë po punon për identifikimin e episodeve të dhunës, identifikimin e personave përgjegjës, si dhe dokumentimin e plotë të çdo episodi.

Policia e Shtetit falenderon qytetarët e Tiranës për mirëkuptimin dhe durimin e dëshmuar pavarësisht vështirësive që mund të kenë hasur në qarkullimin rrugor në ditën e sotme. Një falenderim policia e ka edhe për misionet ndërkombëtare të asistencës policore për mbështetjen e ofruar në hartimin dhe realizimin e masave policore për menaxhimin e tubimit.

“Policia e Shtetit falënderon dhe vlerëson gjithashtu mediat që transmetuan me transparencë dhe profesionalizëm masat e marra, angazhimin dhe punën e strukturave dhe punonjësve të Policisë së Shtetit në menaxhimin e tubimit. Policia e Shtetit është e angazhuar të sigurojë kurdoherë, zhvillimin e çdo tubimi paqësor, duke garantuar në çdo rast, sigurinë e jetës së qytetarëve dhe rendin publik, në respekt e zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit”,

e mbyll njoftimin e saj Policia e Shtetit.

/tvklan.al