Deri në këngën e tetë, mbrëmja finale e “Eurosong”, “Festivali Evropian i Këngës” po zhvillohej siç edhe vendi organizator, Portugalia, kishte parashikuar. Në të nëntin, konkurrimi i britanikes SuRie, u ndërpre për pak çaste. Në skenën u ngjit aktivisti politik, Dr. A.C duke i rrëmbyer mikrofonin këngëtares për t’i komunikuar publikut aty dhe gjithë spektatorëve mesazhin e tij.

“Nazistët e medias në Britaninë e Bashkuar kërkojnë liri”, ishin fjalët e artikuluara nga i riu para se forcat e sigurisë ta largonin atë nga skena. Ai mbante të veshur një bluze me mbishkrimin “Punët e mafias shtetërore britanike, media britanike, porositeni atë në Amazon” dhe vazhdon të mbahet në një nga rajonet e policisë së Lisbonës.

“Ekspres” shkruan se aktivisti që theu sigurinë e “Eurosong” është me origjinë shqiptare dhe emri i tij është Kostandin. Kjo nuk është hera e parë që ai ndërpret një ngjarje muzikore, madje është një personazh i njohur në mediat britanike.

Ky nuk ishte i vetmi incident. Fituesja e festivalit, izraelitja Netta, u filmua nga kamera amatore duke u rrëzuar në një shkallë teksa po zbriste në skenë. Përsa i përket garës, kënga e saj “Toy” mori numrin më të madh të votave.

Shqipëria u rendit e 11-ta me këngën “Mall” të Eugent Bushpepaj, performanca e të cilit gjithashtu tërhoqi jo pak vëmendjen e mediave që shkruajtën për festivalin.

Tv Klan