Çmimet në Shqipëri gjatë muajit Prill janë rritur me 2.1% krahasuar me një vit më parë. Instituti i Statistikave ka publikuar nivelin e inflacionit për muajin që shkoi, i cili përkon edhe me periudhën ku 9970 biznese të vogla u përfshinë në zinxhirin e tatimit mbi vlerën e shtuar.

Krahasuar me tendencën e çmimeve të këtij viti, inflacioni është 0.1% më i lartë se ai i Marsit, por mbetet në të njëjtat nivele me ato të muajve të tjerë të vitit.

Peshën më të madhe në rritjen e indeksit të çmimeve të konsumit e ka patur grupi “ushqime dhe pije jo alkoolike”, ku rritja e tij është në nivelin 3.1%, ndërsa krahasuar me një muaj më parë çmimet e këtyre produkteve kanë shënuar rënie me 1.4%.

Rritja më e madhe e çmimeve është për “veshjet dhe këpucët” me 3.4%, dhe grupi i “qirasë, uji dhe lëndët djegëse” u rritën me 2.5% ndaj Prillit të 2017-ës.

Inflacioni vijon të mbetet poshtë normës 3%, të përcaktuar si optimale për vendin tonë nga Banka e Shqipërisë.

Tv Klan