Inspektoriati qendror ka nisur punën për të mbledhur në një portal të vetëm 12 inspektoriatet që kontrollojnë biznesin  në fusha të ndryshme. Qëllimi është bërja e reformës për të kontrolluar shkeljet e sipërmarrësve në mënyrë online. Por si do të funksionojë ky lloj kontrolli? Menjëherë pas ndërtimit të faqes së internetit e-inspektime, të gjithë sipërmarrësit do të shkarkojnë një formular dhe do të bëjnë deklarimin për të gjitha fushat ku ata janë subjekt kontrolli.

Pas dorëzimit të formularit, inspektorët e çdo inspektoriati, që nga ai i punës, cilësisë së karburanteve, sigurisë ushqimore etj., do të shkojnë për kontroll te bizneset që i nxjerr vetë programi kompjuterik si ndërmarrje që kanë risk më të lartë për të bërë shkelje.

Në reformën e cila po fillon të zbatohet për inspektoriatet, qëllimi është shmangia e subjektivitetit të inspektorëve për të bërë përzgjedhjen e bizneseve vetë, eliminimi i korrupsionit dhe paligjshmërisë.

Pas ndërtimit të faqes së kontrollit online, të gjithë inspektorët do të pajisen me chip-a dhe laptopë, në mënyrë që të identifikohen vendet ku ata shkojnë për të inspektuar.

Tv Klan