Një elektriçist shqiptar në Britani të Madhe është dënuar nga gjykata me 3 vite e 4 muaj burg, pasi kishte instaluar sistemin elektrik të një fabrikë ku kultivohej kanabis.

Sipas Gjykatës së Stoke, shqiptari Ervin Baraku 26 vjeç instaloi llampat ndriçuese që shërbenin për kultivimin e kanabisit në një magazinë të mbyllur. Në këtë magazinë ishin kultivuar 1116 bimë narkotike, vlera e të cilave shkonte në rreth 720 mijë Euro.

Magazina ku kultivohej drogë ra në sy të autoriteteve për shkak të sasisë së madhe të energjisë që po përdorej. Ky fakt shtoi dyshimet tek policia, e cila pas hetimeve më 27 tetor të vitit të kaluar zbuloi sasinë e madhe të kanabisit që ishte mbjellë.

Para gjykatës, shqiptari Ervin Baraku tha se kishte jetuar në atë magazinë për dy muaj. Sipas tij, ai nuk ishte kërcënuar që të bënte punën e caktuar, por i duheshin paratë pasi kishte 28 mijë Euro borxhe.

Prokurori i çështjes tregoi edhe detaje të tjera.

“Magazina ishte e ndarë në disa zona. Energjia elektrike konsumohej në sasi të mëdha, por nuk paguhej. Ervin Baraku nuk ishte menaxheri i fabrikës së drogës, por ishte motivuar për shkak të pagesës”

, deklaroi prokurori Benjamin Lawrence.

Kurse avokati mbrojtës i shqiptarit shtoi:

“Ai është 26 vjeç dhe nuk është në gjendje të punojë ligjërisht. Ai ishte aty për të punuar. Ai ka një të dashur dhe fëmijë të vogël. Ishte i vetëdijshëm për atë që po bënte, paguhej shumë mirë dhe ishte i sinqertë”

.

Pas përfundimit të dënimit, Ervin Baraku do të deportohet në Shqipëri.

/tvklan.al