Inter fitoi me rezultatin 3 – 2 derbin e Milanos në përballjen që pati emocione gjatë të gjithë lojës. Superndeshja e javës së tetë të Serie A u vendos nga Mauro Icardi, autor u të 3 golave për zikaltërit.

 Lojtarët e Inter u shfaqën më të rrezikshëm që në minutat e para, duke goditur edhe traversën. Goli u shënua në të 28’ nga kapiteni Icardi, i cili shfrytëzoi një pasim të saktë të Candreva. Rasti më i mirë për Milan ishte në fundin e pjesës së parë me Borini, por Handanoviç u tregua i vëmendshëm.

Pas pushimit lojtarët e Milan u përpoqën të barazonin rezultatin. Musacchio shënoi, por në pozicion jashtë loje. Këmbëngulja vijoi deri në momentin e golit që rivendosi barazimin. Suso mposhti Handanoviç, i cili deri në atë moment kishte penguar kuqezinjtë të realizonin. Ky rezultat zgjati vetëm për pak minuta, pasi Icardi kaloi sërish Inter në avantazh pas një kombinimi me Perisiç.

Emocionet e kësaj sfide nuk përfunduan, pasi  Bonaventura barazoi sërish rezultatin. Në fund festa ishte e Inter. Kapiteni Icardi vendosi rezultatin përfundimtar 3 – 2 nga pika e penalltisë. Inter mban vendin e dytë në klasifikim duke ruajtur diferencën prej 2 pikësh me Napolin kryesues./Tv Klan