Gjermania ka hedhur hapin e parë konkret për zgjidhjen e ngërçit mes Beogradit dhe Prishtinës, që mban të bllokuar linjën e interkonjeksionit Shqipëri – Kosovë.

Qeveria gjermane i ka kërkuar sekretariatit të komunitetit të energjisë lehtësimin e negociatave mes dy vendeve për mosmarrëveshjen e gjatë midis Agjencisë Energjitike të Serbisë dhe operatorit të sistemit të trasmetimit të energjisë në Kosovë.

Në një deklaratë zyrtare thuhet se gjermania është shumë e shqetësuar për këtë ngërç, që pengon investimet në sektorët e energjisë në rajon dhe bllokon integrimin e tregut rajonal të energjisë në Ballkanin Perëndimor.

Sipas deklaratës, sekretariati do të takojë përfaqësues të dy qeverive, asaj kosovare dhe serbe, për të organizuar në të ardhmen e afërt procesin e ndërmjetësimit.

Linja e interkonjeksionit me Kosovën e cila kushtoi 42 milionë euro, me një financim të Bankës gjermane KFV, ka përfunduar në vitin 2016, por nuk është vënë në funksion pasi Serbia nuk njeh Operatorin e Transmetimit të Kosovës.

Ky konflikt ka shqetësuar jo vetëm Berlinin, si një investim të financuar nga Gjermania, por edhe Bashkimin Europian./Tv Klan