Serbia ka nisur lobimin tek shtetet anëtare të Interpol që të ndalojë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Sipas të përditshmes serbe “Blic”, Serbia tashmë ka ngritur një grup pune i cili përbëhet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme dhe e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën.

Burime të kësaj gazete serbe thonë se ende nuk është e vendosur nëse anëtarësimi i Kosovës do të shtrohet për diskutim në muajin shtator të këtij viti, duke saktësuar se vendimi për rendin e ditës merret pak para asamblesë së përgjithshme.

Tema e mbledhjes asamblesë së përgjithshme vendoset nga organi ekzekutiv i Interpolit, i cili përbëhet nga një numër më i vogël i vendeve anëtare.

Burimi i “Blic”, i afërt me grupin punues, tha se edhe nëse kjo temë do të jetë në rendin e ditës në Pekin, nuk do të thotë se Kosova do të bëhet pjesë e Interpolit.

Gazeta shkruan ndër të tjera se për anëtarësim në Interpol duhen dy të tretat e votave dhe se Serbia ka besim të madh në lobimin e Kinës dhe Rusisë për të mos lejuar anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Interpol pritet të jetë në rendin e ditës në seancën e asamblesë së përgjithshme të kësaj organizate, e cila do të mbahet në muajin shtator, në Pekin.

Në Interpol aktualisht janë të anëtarësuara 186 shtete./Abc News