Zoti Berisha, kundërshtitë e opozitës për Reformën në Drejtësi ishin në fakt për të mbrojtur një grup njerëzish të Partisë Demokratike, sikundër thotë Kryeministri Rama, apo për të mbrojtur standardet? Pasi për të thënë të drejtën, qytetarët e kanë disi të vështirë të kuptojnë gjërat teknike sa i përket Reformës në Drejtësi.

Qëndrimi ynë kishte vetëm një qëllim, mbrojtjen e standardeve dhe për definicion nuk kishte lidhje për të mbrojtur asnjë person. Nuk kam pranuar dekonstitucionalizimin e Presidentit të Republikës, përsa kohë ai është në detyrë. Dhe të garantoj se këtë do ta bëja për çdo President Republike. I gjithë qëndrimi ynë nuk ka patur asnjë lidhje dhe nuk ka patur parasysh asnjë person. Por ka patur parasysh strikt parimet e një drejtësie të pavarur, të pakapur, transparente, efiçente. Ne nuk mund të pranonim ndërprerjen e mandatit, sepse Komisioni i Venecias, sa herë ka qenë koha për të ndërprerë mandate, qoftë në qeverinë e tyre, qoftë në qeverinë time ka qenë kategorikisht kundër. Kur është miratuar Kushtetuta e re në vitin 1978, ka patur aty një amendament tranzitor, i vendosur nga Komisioni i Venecias: Mandatet ekzistuese vazhdojnë deri në përfundimin e tyre.

Zoti Berisha, ju keni qenë një aktor shumë i rëndësishëm sa i përket Reformës në Drejtësi. Ambasadori amerikan Donald Lu, pasi takohej me Kryetarin Basha vinte edhe në zyrën tuaj. A keni folur ndonjëherë mes jush për vija të kuqe që nuk duhet të kaloheshin kryesisht për vetingun.

Dua t’ju siguroj se udhëheqjen e këtij procesi e ka bërë lidershipi i PD – së, e ka bërë Lulzim Basha dhe grupi që drejton Partinë Demokratike dhe ekspertë të saj. Padiskutim, Sali Berisha ka një eksperiencë shumë të gjatë si President, si Kryeministër dhe për kohë të tëra ka qenë Kushtetuta dhe kushtetutat, librat më të lexuar, sepse ma donte detyra. Jam përpjekur qoftë në Partinë Demokratike, por qoftë dhe me partnerët të jap ndihmesën time, të jap mendimet e mia, në mbështetje të një reforme e cila duhet të garantojë një sistem gjyqësor të pavarur, efiçent, transparent dhe përgjegjës para ligjit. Ky ka qenë mendoj i gjithë angazhimi dhe përkushtimi im.

Gjatë negociatave, LSI ka patur një qëndrim të ngjashëm më opozitën, duke i mëshuar miratimit me konsensus të Reformës në Drejtësi dhe sipas rekomandimeve të Venecias. Madje ka kërcënuar edhe qeveri teknike apo zgjedhje të parakohëshme sikundër ka artikuluar opozita dhe ju vetë. A është kjo një premisë për një bashkëpunim të mundshëm mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, përpara apo pas zgjedhjeve?

Është në interes të shtrohet një pyetje: Kur ka ndryshuar qëndrimi i LSI –së? Padiskutimin që ka ndryshuar. Qëndrimi i Ilir Metës dhe LSI ka ndryshuar thelbësisht pasi erdhi projekti i Venecias, i cili kishte rrëzuar në 38 nene projektin Rama – Xhafa. Ilir Meta, veçanërisht në momentin kur ai dërgoi krahas projektit të dytë Rama – Xhafa në Venecia, ai faktikisht e shkatërroi projektin e dytë, bashkë me oponencën tonë, sepse i tha Komisionit që qeveria është e ndarë në dysh. Një krah i saj do drejtësi të pavarur, një krah do të kapë drejtësinë. A është kjo një prologativë për të bashkëpunuar midis dy partive? Unë mendoj se të dyja partitë kanë një trashëgimi bashkëpunimi. A do të bashkëpunojnë apo jo? Ajo varet nga rezultatet elektorale dhe faktorë të tjerë, por nuk mund të mohoj se ato kanë një traditë bashkëpunimi. Unë absolutisht e kam vlerësuar dhe e vlerësoj si një zhvillim që kontribuoi në mënyrë të qenësishme në konsensusin e datës 22 Korrik. 

Disa deputetë të PD deklaruan votën e tyre pro miratimit të Reformës, pavarësisht vendimit të Grupit Parlamentar. A është kjo një dëshmi e kundërshtimit të lidershipit të Partisë Demokratike, apo duhet konsideruar thjeshtë si një qëndrim parimor?

Ata që kanë deklaruar këtu, unë mendoj se Zoti Selami nuk e ka mohuar një gjë të tillë. Nuk e quaj një veprim të drejtë, të jemi të hapur, por ka patur edhe një moment. Çështjet shkonin në nivele të larta dhe shumë të larta dhe nuk mund të them se ata kishin një informacion online, i cili mund të bëhej publik nga Kryetari i Partisë, pa patur rezultatin e tij. Kështu që, edhe kjo ka qenë një faktor që ka ndikuar.

Duhet të ketë pasoja për këta deputetë?

Në asnjë problem organizativ të Partisë Demokratike nuk ndërhyj. Unë jam një ish – Kryetar i dorëhequr plotësisht.

Dje në seancën plenare ju deklaruat se humbësi në të gjithë këtë proces të gjatë negociatash, që u finalizua më në fund dhe me një konsensus mes palëve për Reformën në Drejtësi, ishte Kryeministri Rama. Vërtetë besoni se ishte kreu i qeverisë, ai që humbi në gjithë këtë reformë?

Absolutisht, ai dhe vetëm ai. Në radhë të parë, pastaj dhe të gjithë ata që e ndoqën. Le të marrim pak cili ishte koncepti ‘Rama’ për drejtësinë? Koncepti ‘Rama’ për drejtësinë ishte: Ministri i Drejtësisë, anëtar në katër forumet kryesore të sistemit gjyqësor, përfshirë Tribunalin Gjyqësor. Pra, Ministri i Drejtësisë, kushdo që lexon projektin e Shtatorit, do të gjejë se ai është Ministër i gjykatësve, i prokurorëve, i sistemit gjyqësor, shef i ekzekutivit të tyre. Vetë Rama mori hetimin. Shqiptarët e kanë të qartë qëllimin e tij ndaj Byrosë Kombëtare të Hetimit, vendosjes së saj në Drejtorinë e Policisë, në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme. Tjetër, përjashtim të të gjitha vendimeve me 3/5 të kësaj mazhorance në emërime, gjë të cilën Venecia ia hedh poshtë menjëherë, si përpjekje për të kapur. Tjetër, pasi dështoi me të gjitha, luajti letrën e të huajve dhe më të turpshmen. Që të huajt duhet të na emëronin vetorët, që duhet të vendosnin në veting, që të huajt duhet të emëronin gjykatësit dhe prokurorët. A mund të imagjinohet një qëndrim i tillë i Kryeministrit? Ai dështoi në secilën prej këtyre dhe qytetarët duhet ta dinë se po, opozita nuk ka lëshuar asnjë milimetër nga parimet e Venecias. Vërtetë është hedhur mbi opozitën një mal akuzash, se ajo është pengestarja, se nuk e do reformën. Në një kohë që opozita e donte më shumë se kushdo tjetër reformën. Po pse? Po duhet të shuhej Partia Demokratike, po të mos donte reformën. Kjo është reformë e të drejtave njerëzore. Partia Demokratike është parti e themeluar jo mbi solidaritetin, siç është Partia Socialiste, por mbi liritë dhe të drejtat njerëzore dhe interesin kombëtar. Kaq është filozofia e saj. PD kurrë s’mund t’ia dilte. Ia mbylli derën Edi Rama, s’ka konsensus tha. Mirë – tha, por futi Venecian. Pra sa javë u vonua reforma vetëm për vetorë? 6 javë. Sepse donin t’i emëronin të huajt, jo i thonim ne, do t’i emërojmë ne. Të huajt e ka përcaktuar Venecia. Opozita nuk do ketë ose do ketë përfaqësimet që dua unë. Jo, e ka përcaktuar Venecia, 88 –ta. Pra, Rama ndërtoi në këtë proces me dhjetëra gropa, duke besuar dhe shpresuar se do të hidhte PD, në fakt ra vetë në secilën prej tyre. Në fakt, çdo vijë e kuqe që iu tha shqiptarëve, iu shndërrua në një këpucë të kuqe për veten e tij dhe u thye. Atëherë çfarë i mbeti? Një Kryeministër i cili, nëqoftëse do të vendoste për të ndjekur parimet e Venecias, do të udhëhiqte në mënyrë të pa diskutueshme reformën dhe konsensusin dhe do t’i takonte atij. Unë dua t’i rrëfej shqiptarëve një të vërtetë, edhe kur erdhi raporti i Komisionit të Venecias që rrëzoi 38 nene, unë i kam thënë partnerëve që erdhën dhe më thanë tani ju të drejtoni reformën, opozita të drejtojë reformën. Jo i kam thënë, ta udhëheqë qeveria reformën, sepse është shumica, kështu është rregulli. Por tani të ulen dhe në konsensus, të bëjnë draftin e dytë dhe ta çojnë në Venecia. Çfarë bënë? Si skile, në kuptimin e vërtetë të fjalës, fshehtas, u futën dhe brenda katër ditëve thanë e kemi bërë draftin ne. Po si e bëtë draftin ju? A e rrëzoi Venecia? Po, po ne bëmë të dytin. Dhe ne bëmë të njëjtën gjë. Ne nuk bëmë draft. Pse ne nuk bëmë draft fillimisht? Sepse ne donim të jepnim mesazhin se jemi për të punuar me konsensus. Jo ju me draftin tuaj e ne me draftin tonë, hajde të ulemi. E çuan në Venecia, Ilir Meta çoi më pas draftin e tij, ne vumë oponencën tonë. E rrëzuam përsëri draftin e dytë, e kështu me radhë. Pra, nëqoftëse, ka njeri që groposi çdo pretendim që pati, është Edi Rama. Po përse? Sepse shkonte në absurd, se nxirrte pretendime absurde. Ne nuk i japim në asnjë mënyrë opozitës vende të rezervuar, tek çështja e vetingut, njëmijë herë, por ja që i dha tek dy të tjerat, orën e fundit, ditën e fundit dhe humbi. Ky ishte konsensus i imponuar, fund e krye nga opozita. Padiskutim, Lëvizja Socialiste për Integrim nuk punoi për opozitën, kurrën e kurrës, punoi për programin e vet, punoi për parimësinë e vet. Njeriu që luftoi të bëhej kryeprokuror, kryegjykatës, kryehetues mori atë që meritonte. /tvklan.al