Ambasadori amerikan Donald Lu për herë të parë ka folur në një intervistë televizive. I ftuar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut në Tv Klan, në fund të mandatit të tij si ambasador amerikan në Tiranë, Lu foli kryesisht për reformën në drejtësi.

Ambasadori deklaroi se së shpejti pritet që të nisë ndjekja penale për çështjen “Tahiri”. Hetimet ndaj ish-ministrit të Brendshëm po shkojnë drejt fundit, tha Lu, dhe kjo dosje duhet të gjykohet nga një gjyqtar që të vlerësojë me transparencë provat e implikimit të dyshuar të Saimir Tahirit në trafikun e drogës. Ndërkohë, duke folur për ndalimin e hyrjes në SHBA të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Donald Lu theksoi se Qeveria Amerikane ka informacione dhe prova të besueshme që Adriatik Llalla të jetë i përfshirë në korrupsion.

Sa i përket “peshqve të mëdhenj”, ambasadori amerikan Donald Lu përmendi Kelmend Balilin, të njohur ndryshe si “Eskobari i Ballkanit”, i cili akuzohet për trafik ndërkombëtar droge, krijim të organizatës kriminale. Lu bëri me dije se qeveria amerikane ka informacione që Kelmend Balili vijon të qëndrojë i fshehur në Shqipëri dhe ditët në vijim mund të arrestohet. Ndërsa në Greqi, vendi ku është zbuluar aktiviteti kriminal i “Eskobarit shqiptar”, Kelmend Balili është dënuar me burgim të përjetshëm dhe me 15 vite burg.

/tvklan.al

INTERVISTA E PLOTË E AMBASADORIT AMERIKAN DONALD LU:

Blendi Fevziu: Mirëmbrëma të nderuar teleshikues. I ftuari i sotëm është Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Donald Lu, i cili jep intervistën e tij të parë televizive në këtë vend, tre vjet pasi mbërriti në Shqipëri. Donald Lu do të flasë mbi çështjet kryesore që kanë shqetësuar misionin e tij në Shqipëri dhe njëkohësisht për çështjet më të nxehta të ditës, edhe pse kjo intervistë ka qenë e planifikuar përpara zhvillimeve korrente të dy-tri ditëve të fundit, do mundohemi të marrim një opinion edhe për ato, por kryesisht do të përqendrohet në raportin midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë si dhe angazhimet kryesore të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Ambasador Lu, mirësevini në studion e Opinion.

 

Ambasadori Lu: Blendi, faleminderit shumë që më keni ftuar sot. Teksa familja ime bëhet gati të largohet nga Shqipëria këtë verë, dëshiroj të theksoj se çfarë nderi ka qenë të shërbej në këtë vend dhe të zë kaq shumë miq të shkëlqyer shqiptarë.

 

Blendi Fevziu: Mendoj se keni tre vjet këtu…

 

Ambasadori Lu: Pak më shumë se tre vjet …

 

Blendi Fevziu: Pak më shumë se tre vjet, cila është përshtypja juaj për Shqipërinë?

 

Ambasadori Lu: Shumë gjëra.

 

Blendi Fevziu: Kam dëgjuar në media se donit të qëndronit pak më gjatë.

 

Ambasadori Lu: Është e vërtetë. Normalisht, një Ambasador i SHBA qëndron për tre vjet në Shqipëri. Mua m’u bënë tre vjet në janar, por i kërkova Uashingtonit të më lejonte të qëndroja pak më gjatë.

 

Blendi Fevziu: E aprovuan …

 

Ambasadori Lu: Familjes sime dhe mua na pëlqen kaq shumë këtu dhe më lejuan të qëndroj deri në verë.

 

Blendi Fevziu: Pse e doni kaq këtë vend, Z. Ambasador?

 

Ambasadori Lu: Çfarë ka për të mos pëlqyer? E dashuroj ushqimin, dashuroj malet, dashuroj dritën këtu. Çdo ditë zgjohem, hap perdet, dhe keni dritën më të bukur në të gjithë Europën. Kam udhëtuar – po flisnim më parë për Londrën, Vienën, apo kur isha në Greqi kohët e fundit, drita këtu është shumë e veçantë.

 

Blendi Fevziu: E vërtetë. Drita e mesdheut …

 

Ambasadori Lu: Ka diell gjithë kohën. Ushqimi është më i miri në botë. Nuk kam shërbyer në ndonjë vend me ushqim më të mirë se në Shqipëri. Isha në Itali, kërkoja ushqim Italian po aq të mirë sa në Tiranë – nuk e gjeja dot.

 

Blendi Fevziu: Ambasador, nga udhëtimet, kam parë të njëjtën situatë kudo. Çdo vend në botë thotë se ka ushqimin më të mirë.

 

Ambasadori Lu: Por ajo që e dua më shumë…

 

Blendi Fevziu: Edhe në vendin më të izoluar në Afrikë, thonë që kanë ushqimin më të mirë …

 

Ambasadori Lu: Ajo që dua më shumë janë njerëzit që janë kaq mikpritës. Tradita e mikpritjes është aq e mrekullueshme dhe shqiptarët që kanë udhëtuar jashtë vendit e dinë që nuk është njësoj kudo në botë. Nuk gjen të njëjtën ngrohtësi dhe miqësi, sidomos për të huajt.

 

Blendi Fevziu: Por a mendoni se është për të huajt apo ngaqë ju jeni Ambasador i Shteteve të Bashkuara?

 

Ambasadori Lu: Jo, kur flas me …

 

Blendi Fevziu: Dhe ju e njihni mirë marrëdhënien e këtij vendi me Shtetet e Bashkuara…

 

Ambasadori Lu: Kjo është shumë e vërtetë. Por kur flas me të huaj të tjerë, flas me shqiptarë që kthehen në vend, gjejnë të njëjtën traditë të mikpritjes. Dhe shpresoj që, teksa Shqipëria bëhet më moderne, më europiane, që të mund ta ruajnë këtë traditë. Është diçka shumë e veçantë në këtë vend.

 

Blendi Fevziu: Cili është …kjo është një pyetje pak e vështirë ndoshta… cili është kujtimi më interesant që keni nga Shqipëria në këto tre vjet?

 

Ambasadori Lu: Po

 

Blendi Fevziu: Jo politik…

 

Ambasadori Lu: Po bisedoja me time shoqe për këtë dje. Kujtimi më i fortë nga tri vitet këtu në fakt nuk ishte tamam në Shqipëri, por kur udhëtoja për në shtëpi në Shtetet e Bashkuara nga Shqipëria. Im atë ishte shumë i sëmurë dhe motra më pati thënë në telefon që duhet të shkoja sepse babait i kishin mbetur vetëm pak ditë jetë.

 

Blendi Fevziu: Babai juaj jeton në Kaliforni?

 

Ambasadori Lu: Në Kaliforni. Po udhëtoja me avion dhe isha në aeroportin e Vjenës dhe zbulova që im atë kishte ndërruar jetë.

 

Blendi Fevziu: Më vjen keq.

 

Ambasadori Lu: Mund të mbaj mend saktësisht vendin ku isha në atë aeroport kur ndodhi kjo sepse ishte një çast shumë i fortë për mua, emocionet e forta që kisha, por më kujton edhe që ne si të huaj në vendin tuaj, jemi shumë me fat që jemi këtu. Ne e bëjmë këtë por edhe sakrifikojmë kur jemi këtu. Kur je në ushtri dhe shërben jashtë vendit, si diplomat, apo aq shumë familje shqiptare që jetojnë jashtë Shqipërisë; kaq shumë të afërm, të afërmit e tu…

 

Blendi Fevziu: Absolutisht…

 

Ambasadori Lu: …që bëjnë sakrificën për familjet e tyre dhe punojnë në Itali, në Greqi, apo në Shtetet e Bashkuara…

 

Blendi Fevziu: Në Gjermani…

 

Ambasadori Lu: …dhe zemrën e kanë këtu, në shtëpi, në Shqipëri. Pra, një prej dëshirave më të mëdha për këtë vend është që të kthehem pas gjashtë, shtatë apo dhjetë vitesh dhe ky të jetë vendi ku të rinjtë të gjejnë mundësi, të gjejnë shumë liri dhe shpresoj që njerëzit të qëndrojnë këtu por edhe të kthehen. Janë 13,000 amerikanë që jetojnë aktualisht këtu, shumica nga të cilët shqiptaro-amerikanë…

 

Blendi Fevziu: Shqiptaro-amerikanë…

 

Ambasadori Lu: …që kanë vendosur të kthehen dhe të jetojnë këtu sepse këtu kanë zemrën.

 

Blendi Fevziu: Ambasador, po, zyrtarisht jemi një vend me rreth 4.5 milionë shqiptarë por në 25 vitet e fundit kemi humbur më shumë se 1.5 milionë. Të themi, më shumë se një millionë e gjysmë shqiptarë janë larguar për në Greqi, Itali, SHBA…

 

Ambasadori Lu: …Sigurisht…

 

Blendi Fevziu: …në gjithë botën, për shkak të problemeve ekonomike dhe për shkak të komunizmit në Shqipëri në të kaluarën. A mendoni se ka ndonjë mundësi t’i kemi përsëri disa nga këta njerëz?     

 

Ambasadori Lu: Oh, absolutisht. Punën e parafundit e kam pasur në Indi. Atje ka 300,000 amerikanë. Shumica janë…

 

Blendi Fevziu: Indiano-amerikanë…

 

Ambasadori Lu: …indianë etnikë që imigruan në SHBA dhe morën nënshtetësinë por u kthyen në vendin e tyre sepse u ofronte mundësi, vende pune, mundësinë për të qenë me familjet e tyre. Mendoj që do ndodhë edhe në Shqipëri. Jam i sigurt. Iu them të rinjve çdo ditë: mos e humbni shansin për ndryshimet që po ndodhin në këtë vend. Edhe në tre vite, kam parë ndryshime shumë të mëdha këtu në Tiranë dhe anembanë vendit.

 

Blendi Fevziu: E vërtetë, Ambasador, por në dy ditët e fundit, për shembull, keni parë djegien e tolleve në autostradën midis Shqipërisë dhe Kosovës, ndërtuar 9 vjet më parë. Keni parë protestën përpara Drejtorisë së Policisë në Tiranë. Dua t’ju pyes për vendimin e qeverisë për të dhënë me koncesion autostradën midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe për të pasur një tarifë toll prej 5 Euro për një drejtim për njerëzit, përfshi popullsinë në Kukës. Disa prej tyre, sipas Kryebashkiakut të Kukësit, janë 42% me ndihmë ekonomike, marrin 36 dollarë në muaj dhe duhet të paguajnë 12 dollarë për të dërguar një nxënës në shkollën e mesme të Kukësit apo për të shkuar në spital. Ç’mendim keni për këtë vendim?

 

Ambasadori Lu: Në Shqipëri, të gjithë qytetarët kanë të drejtën të protestojnë paqësisht, përfshi në Kukës. Dhe e kuptoj njerëzit në Kukës janë të inatosur. Nuk kanë të drejtë të shkojnë të djegin kabinat e toll-eve, nuk kanë të drejtë të gjuajnë me gurë policinë. Në të njëjtën kohë, policia nuk ka të drejtë të lëndojë protestuesit apo të kapin njerëzit për arrestime masive në mes të natës. I kam bërë thirrje Kryeministrit dhe kreut të opozitës që tani të tregojnë vetëpërmbajtje, që secili të ruajnë qetësinë dhe që kjo të zgjidhet me anë të dialogut.

 

Blendi Fevziu: Ambasador, këta njerëz mendojnë se qeveria iu shërben më shumë pesë a gjashtë të pasurve. Disa përdorin termin ‘oligarkë’ por unë nuk dua ta përdor sepse mendoj se nuk është real, që qeveria nuk i shërben popullsisë së vendit.

 

Ambasadori Lu: Rruga u ndërtua shumë kohë përpara se të vija në Shqipëri. Kam lexuar një pjesë të historisë për të, edhe historinë e ndërlikuar të koncesionit. Të jem i sinqertë, shumica e kësaj nuk përbën shqetësim për qeverinë e SHBA apo për mua. Ajo që më shqetëson është dhuna e mundshme. Prandaj më lejoni të bëj thirrje përsëri që protestuesit të jenë paqësorë, që qeveria dhe policia të qëndrojnë paqësorë, kjo është përparësia numër një për qeverinë e SHBA këtu.

 

Blendi Fevziu: Por reagimi i opozitës në vend, Ambasador, PD dhe LSI, kanë bërë thirrje për mosbindje civile. Nuk është hera e parë në fakt, edhe në 2016 bënë thirrje për një protestë të tillë. Çfarë mendoni për këtë vendim të opozitës?

 

Ambasadori Lu: Në çdo demokraci, njerëzit duhet të ngrenë zërin. Po ashtu, kanë të drejtë që në mënyrë paqësore të mos lejojnë qeverinë e tyre të kryejë abuzime, por duhet ta bëjnë këtë paqësisht. Nëse do të bllokojnë rrugë, të mos paguajnë taksa, apo të bëjnë veprimtari të tjera të jashtëligjshme, duhet të jenë të përgatitur për pasojat ligjore. Shtetet e Bashkuara kanë një traditë të gjatë me mosbindjen civile, por ata persona, ata protestues kanë qenë të përgatitur të shkojnë në burg për bindjet e tyre.

 

Blendi Fevziu: Opozita mendon se qeveria nuk dëgjon për asgjë. Gjërat që kërkojnë ata janë gjëra që kërkojnë njerëzit. Çfarë mendoni në këtë rast? Sepse kemi një përplasje të madhe për këtë: opozita thotë se qeveria nuk reagon ndaj kërkesave të njerëzve dhe qeveria thotë se opozita po përdor disa probleme lokale për të luftuar qeverinë.

 

Ambasadori Lu: Kam parë që Edi Rama ka bërë thirrje për dialog në këtë rast. E mbështes këtë. E mbështes zgjidhjen e kësaj çështjeje me dialog. Opozita ka thënë s’ka dialog nëse nuk lironi njerëzit nga burgu. Epo, të shohim nëse do ndodhë kjo. Mendoj se tani ka një çështje ligjore kundër personave që dogjën kabinat e toll-eve. Nuk e di nëse Edi Rama mund që thjesht t’i thotë gjykatës të lirojë njerëzit nga burgu.

 

Blendi Fevziu: Shpresoj që të jeni shumë i drejtpërdrejtë dhe i hapur në përgjigjet tuaja, por disa muaj më parë, ju mbajtët një fjalim ku flisnit për peshqit e mëdhenj dhe peshqit e vegjël…

 

Ambasadori Lu: Po, po..

 

Blendi Fevziu: Në 28 vite, ambasador – dhe unë kam informacion për çdo ditë në këto 28 vite – nuk kemi parë asnjë person të fuqishëm…

 

Ambasadori Lu: Po…

 

Blendi Fevziu: …ndonjë politikan, që të dënohet për problemet që i kanë shkaktuar vendit. Disa u dënuan por më shumë politikisht në vitet ’92 dhe ’93. E kam fjalën për personat që janë akuzuar për korrupsion, për probleme të tjera, për shkelje të ligjeve.

 

Ambasadori Lu: Po…

 

Blendi Fevziu: Pyetja ime është e drejtpërdrejtë. Kur do të dënohen këta persona për problemet që kanë shkaktuar?

 

Ambasadori Lu: Besoj, kam besim se do të ndëshkohen shumë shpejt. Shumica e peshqve të mëdhenj janë në det. Pak janë tashmë në rrjeta, por shoh të dhëna që shumë shpejt do të kemi më shumë rezultate. Më lejoni të jem specifik këtu. Met Kanani – Met Kanani është një trafikant droge i rrezikshëm, trafikant shqiptar, arrestuar në Bodrum, Turqi, dy javë më parë, me ndihmën e qeverisë shqiptare.

 

Blendi Fevziu: Dhe s’ia kishim dëgjuar emrin më parë …

 

Ambasadori Lu: Është një person vërtet i rrezikshëm dhe policia juaj, prokurorët tuaj, njerëzit tuaj që punojnë kundër narkotikëve e dinë shumë mirë se kush është. Arbër Çekaj, përgjegjës për trafikimin e 613 kg kokainë…

 

Blendi Fevziu: Ai u zhduk …

 

Ambasadori Lu: U zhduk por tani ka një mandat arresti ndërkombëtar për të dhe Shqipëria po e kërkon kudo në Europë dhe ne po ndihmojmë për këtë. Klement Balili, po ashtu me mandat arresti ndërkombëtar.  Ne, amerikanët, besojmë se është ende në Shqipëri dhe ka mundësi të arrestohet në ditët që vijnë. Po shtyjmë shumë fort për këtë. E dini, Z. Balili është dënuar tashmë në Greqi për trafik droge. …

 

Blendi Fevziu: Po…

 

Ambasadori Lu: Burgim të përjetshëm plus 15 vite. Tani duhet vetëm të kapet. Ne po shtyjmë shumë fort, me të gjitha burimet e Qeverisë së SHBA, për t’u siguruar që këta peshq të mëdhenj të shkojnë në burg. Le të flasim pak për politikanët.

 

Blendi Fevziu: Po, ata janë gangsterët, personat e trafiqeve, dhe të tjerët. Unë flas për personat e fuqishëm, me kostume, me kostume shumë të shtrenjta, të cilët qëndrojnë çdo ditë në baret e restorantet e Tiranës dhe nuk ndëshkohen kurrë.

 

Ambasadori Lu: Vitin e kaluar, nuk kishte hetime, me sa di, kundër këtyre trafikantëve të mëdhenj të drogës apo zyrtarëve të lartë. Çfarë kemi sot? Mendoj se është shumë interesante. Shikoni çështjen kundër Adriatik Llallës. Ka shumë në media tani lidhur me këtë çështje. Po hetohet për korrupsion. Qeveria e SHBA po ndihmon në atë hetim. Shikoni Saimir Tahirin – ish-Ministri i Brendshëm shumë i fuqishëm. Po hetohet dhe besoj se jemi pranë ndjekjes penale në këtë çështje. Fran Frrokaj, Kryebashkiaku i Lezhës…

 

Blendi Fevziu: Pse mendoni se jemi pranë kësaj …

 

Ambasadori Lu: Më lejoni të mbaroj në fillim. Fran Frrokaj, Kryebashkiak i Lezhës, tashmë në arrest shtëpiak për korrupsion; dhe Elvis Roshi, ish-Kryebashkiak i Kavajës, kërkohet për ndjekje penale nga ky prokuror për falsifikim dokumentash dhe se ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit për një dënim për përdhunim në grup në Itali. Saimir Tahiri…

 

Blendi Fevziu: Po, pse thoni se jemi afër përfundimit të çështjes Tahiri?

 

Ambasadori Lu: Nuk jemi pranë përfundimit të çështjes, por është pozicioni i Qeverisë së SHBA dhe i Ambasadës së SHBA…

 

Blendi Fevziu: Cili është pozicioni i Qeverisë së SHBA?

 

Ambasadori Lu: …se çështja kundër Saimir Tahirit meriton të vendoset nga një gjykatës, jo të vendoset nga politikanët, jo të vendoset nga prokurorët që nuk bëjnë punën, por duhet të vendoset nga një gjykatës që do të shohë me transparencë provat e çështjes. Kemi parë tashmë në media shumë prova…

 

Blendi Fevziu: A njihni ndonjë gjykatës në këtë vend, Ambasador, në 28 vite, që mund të dënojë një politikan?

 

Ambasadori Lu: Kemi …

 

Blendi Fevziu: Më thoni vetëm një …

 

Ambasadori Lu: Tashmë kemi parë nëpërmjet procesit të vetingut aftësinë për të larguar gjyqtarë nga vetingu. Jam besimplotë se tashmë sistemi juaj i drejtësisë është më i pastër sot se sa ishte tre muaj më parë kur kjo filloi. 

 

Blendi Fevziu: Por është më pak i pastër se sa mendonim më parë…  

 

Ambasadori Lu: Nuk jam i sigurt se çfarë mendonit më parë. Patjetër është një sistem gjyqësor me shumë probleme por është në proces pastrami. Më lejoni t’ju jap një shembull tjetër.

 

Blendi Fevziu: Po flas për vetingun. Personat që mendonin se vetingu do pastrojë pak a shumë të gjithë sistemin, por tani mendojnë se në fund, vetingu do të jetë vetëm për disa dhe jo për një sasi të madhe.

 

Ambasadori Lu: Reforma në drejtësi është për të gjithë sistemin. Vetingu është për 800 gjyqtarë dhe prokurorë. Për politikanët, për zyrtarët e tjerë, keni Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion – SPAK, dhe Byronë Kombëtare të Hetimit – BKH, të cilat kanë përgjegjësinë të merren me krimin e organizuar si dhe korrupsionin e nivelit të lartë; kështu që personat për të cilët flet, personat me kostum, janë përgjegjësi e SPAK dhe BKH.

 

Blendi Fevziu: Pasi SPAK të jetë në punë …

 

Ambasadori Lu: Besoj se SPAK dhe BKH do të ngrihen këtë verë. Duhet të kalojnë vetingun mjaftueshëm persona për të pasur mundësi zgjedhjeje të personave që të jenë të pastër që të mund të bëhen drejtor i SPAK dhe drejtor i BKH.

 

Blendi Fevziu: Cila është asistenca që po jep SHBA për procesin e vetingut, Ambasador?

 

Ambasadori Lu: Kushtetuta juaj e re, miratuar një vit e gjysmë më parë, bën thirrje specifikisht për përfshirjen e shteteve anëtare të Bashkimit Europian, të Delegacionit të Bashkimit Europian, dhe të Shteteve të Bashkuara për të mbështetur vetingun. Po e bëjmë këtë, nëpërmjet monitoruesve ndërkombëtarë – ONM – por edhe …

 

Blendi Fevziu: dhe asistencë konkrete …

 

Ambasadori Lu: Por edhe, ne, Qeveria e SHBA, nëpërmjet agjencive tona ligjzbatuese, po ofrojmë informacion dhe asistencë konkrete për procesin e vetingut.

 

Blendi Fevziu: Po pyesja për këtë, për shembull…

 

Ambasadori Lu: …çdo ditë

 

Blendi Fevziu: Çdo ditë?

 

Ambasadori Lu: Çdo ditë!

 

Blendi Fevziu: Paratë që kanë jashtë. Pronat që kanë jashtë, mund të bashkëpunojmë me institucionet ligjzbatuese të SHBA?

 

Ambasadori Lu: Çdo ditë, por më shumë se kjo, janë edhe institucionet ligjzbatuese shqiptare që shtojnë informacionin e tyre në këtë vlerësim të gjykatësve dhe prokurorëve. Dhe më lejoni të them – mendoj se pati dyshime nëse komisionerët e vetingut do të mund ta bënin punën. Ajo që kam parë unë, vetë, është shumë mbresëlënëse.

 

Blendi Fevziu: Pse ka qenë mbresëlënëse?

 

Ambasadori Lu: Po e marrin shumë seriozisht përgjegjësinë e tyre dhe le të shohim dy çështjet që u zhvilluan në dy muajt e fundit. Fatos Lulo dhe Besnik Imeraj.

 

Blendi Fevziu: Po.

 

Ambasadori Lu: Fatos Lulo pati një dëgjesë dy javë e gjysmë më parë. Ishte e hapur dhe publike. Shtypi dhe publiku mund të ishin dëshmitarë të mbrojtjes që ai i bënte pasurisë së tij personale, për të cilat komisioni i vetingut më pas vendosi se nuk kishte justifikim. Besnik Imeraj është rast edhe më interesant sepse u hetua plotësisht, pastaj arriti në fund të procesit, dhe dha dorëheqjen. E shmangu procesin e vetingut por pastaj…

 

Blendi Fevziu: Po, por nuk ishte i vetmi; pati disa prej tyre.

 

Ambasadori Lu: …nuk i shpëtoi sepse kushtetuta lejon komisionin e vetingut, nëse kanë prova të mjaftueshme, t’ia referojnë çështjen prokurorëve për ndjekje penale. Pra, komisioni i vetingut, dy javë e gjysmë më parë, e referoi çështjen e Besnik Imerajt për ndjekje penale. Unë personalisht, dhe mendoj shumica e shqiptarëve besojmë se zyrtarët e korruptuar jo vetëm duhet të hiqen nga detyra, por edhe duhet të përballen me drejtësinë. Nëse janë fajtorë për krime, duhet të kalojnë kohë në burg.   

 

Blendi Fevziu: Ambasador, doja t’ju pyesja. Kjo ishte pyetja në fakt: çfarë do të ndodhë me personat që goditen nga vetingu? Do hetohen për rastet e tyre apo do largohen nga postet?

 

Ambasadori Lu: Do të varet nga individët. Tani, Besnik Imeraj, komisioni i vetingut ka gjetur prova të mjaftueshme kundër tij për korrupsion për t’ia referuar çështjen e tij prokurorisë dhe gjykatës. Pra, mund të ndiqet penalisht bazuar në hetimin e kryer nga komisioni i vetingut. Persona të tjerë, për shembull Adriatik Llalla, dha dorëheqjen herët në proces. Sot ka një apelim të shpallur nga komisionerët publikë se ndoshta nuk do të lejohet të dorëhiqet nga ky proces vetingu. Por dimë edhe që ka një hetim në proces nga prokuroria ndaj tij për korrupsion. Ky hetim po mbështetet nga Qeveria e SHBA.

 

Fevziu: Zoti Ambasador, doja t’ju pyesja për historinë tuaj me ish Prokurorin e Përgjithshëm Z. Llalla. Përse Departamenti i Shtetit ia ndaloi hyrjen Z. Llalla dhe familjes së tij në Shtetet e Bashkuara?

 

Lu: Sekretari i Shtetit vendosi që Z. Llalla do të ishte i pari person në botë…

 

Fevziu: I pari person në botë?

 

Lu: …në botë, që sipas këtij ligji që i lejon Presidentit të Shteteve të Bashkuara t’i ndalojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara një zyrtari të korruptuar nga një vend tjetër.

 

Fevziu: Sipas informacioneve të kujt?

 

Lu: Më lejoni të mbaroj. Pra, mbështetej në korrupsion të konsiderueshëm. Prandaj ne, qeveria e SHBA, dhe në këtë rast Sekretari i Shtetit, i cili nën autoritetin e Presidentit për këtë çështje, ishte i bindur se kishte prova të mjaftueshme për të besuar se Z. Llalla ishte i përfshirë në korrupsion të rëndësishëm. Këtu ngrihet edhe një pyetje tjetër, nëse ai ka shkelur ligjet e vendit tuaj. Nuk mund ta vendosim ne këtë për Shqipërinë, ne nuk jemi zbatuesit shqiptarë të ligjit. Prandaj po punojmë me prokurorët dhe policinë shqiptare, për t’i ndihmuar ata të kuptojnë atë që ne kemi kuptuar, në mënyrë që të vendosin nëse duan ta çojnë këtë çështje në gjykatë.

 

Fevziu: Po nga erdhi ky informacion? Nga Ambasada Amerikane në Tiranë apo nga institucionet ligjzbatuese në Shtetet e Bashkuara, të cilat e ofruan këtë informacion?

 

Lu: Blendi, ju e dini se ne kemi shumë burime informacioni.

 

Fevziu: Shumë njerëz besojnë se ishit ju që personalisht e dëbuat Llallën për shkak të problemeve që keni pasur më parë.

 

Lu: Asnjë President i Shteteve të Bashkuara apo Sekretar Shtetit nuk do mjaftohej vetëm me të dhënat e Ambasadorit Amerikan. Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka shumë burime informacioni, dhe të gjitha ato të çonin në një përfundim, dhe ai ishte përfundimi ku Sekretari i Shtetit u mbështet për vendimin e tij.

 

Fevziu: A ka një hetim zyrtar për Llallën në Shtetet e Bashkuara? Nuk po flas për hetimin në Shqipëri.

 

Lu: Unë nuk jam agjent i FBI-së, unë nuk jam agjent i DEA-s. Nuk mund të them nëse ata kanë nisur hetimet. Unë mund të flas vetëm në emër të Ambasadës tonë dhe ne po bashkëpunojmë me autoritetet shqiptare.

 

Fevziu: Përse keni pasur një marrëdhënie kaq të fortë dhe të keqe me Z. Llalla?

 

Lu: Jo, unë kam pasur një marrëdhënie personale mjaft të arsyeshme me Z. Llalla, kemi pasur disa takime, kemi qëndruar në komunikim edhe pas konfliktit që patëm. Janarin e kaluar unë thashë se Z. Llalla kishte vepruar kundër reformës në drejtësi. Unë nuk kam asgjë personale me Z. Llalla. Unë dhe qeveria ime kemi investuar shumë përpjekje në reformën në drejtësi dhe nuk do të lejojmë asnjë zyrtar të vetëm, sado i lartë të jetë ai, që të pengojnë këtë reform.

 

Fevziu: Z. Ambasador, doja t’ju pyesja sepse kanë qarkulluar komente, nëse deklaratat që ju keni bërë gjatë këtyre 3 viteve kanë qënë të miratuara nga Departamenti i Shtetit, nga politikat zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

 

Lu: 100%.

 

Fevziu: 100%?

 

Lu: 100%! Unë jam një burokrat shumë besnik. Unë nuk bëj asgjë pa marrë miratimin e Uashingtonit, komunikoj me Uashingtonin çdo ditë, dhe ata e dinë shumë mirë se çfarë bëjmë ne.

 

Fevziu: Cili ishte problem më i madh i Z. Llalla?

 

Ambasadori Lu: Prokurori i Përgjithshëm Llalla nuk ndoqi penalisht njerëzit. Ai ishte Prokurori më i lartë në vend, e megjithatë askush nuk u fut në burg gjatë mandatit të tij. Ju keni nivelin më të ulët të ndjekjeve penale për krimet e rënda në një vend me probleme serioze me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Prandajs hpresoj që të gjithë Prokurorët e Përgjithshëm të ardhshëm, përfshirë edhe Znj. Marku, ta marrin më seriozisht përgjegjësinë e tyre për të ndjekur penalisht njerëzit që shkelin ligjin.

 

Fevziu: A e ka mbështetjen tuaj Arta Marku, Prokurorja e Përgjithshëm e përkohshme? Mbështetjen e SHBA, jo tuajën personalisht.

 

Ambasadori Lu: Askush nuk e ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara përveç zyrtarëve tanë. Por unë jam takuar disa herë me Znj. Marku dhe mendoj se ajo është një profesioniste serioze dhe e kualifikuar, e cila po përpiqet të bëjë një punë të mirë përgjatë muajve të saj si Prokurore e Përgjithshme e përkohshme. Kam parë gjithashtu se gjatë kësaj kohe, prokurorët kanë nisur disa ndjekje penale ndaj figurave të opozitës, e kam parë edhe këtë. Znj. Marku më ka thënë mua por e ka thënë edhe publikisht se ajo është shumë e zotuar dhe mbështet hetimin ndaj Saimir Tahirit. Ky është një çast i rëndësishëm kur Znj. Marku dhe sistemi mund të vërtetëtojnë nëse ky hetim mund të ecë përpara pa ndërhyrjen e politikës. Do thoja gjithashtu se po ndjekim nga afër edhe hetimin e Elvis Roshit, një tjetër socialist, për të parë nëse ai do të trajtohet njësoj si njerëzit e opozitës. Jemi të interesuar të shohim më shumë ndjekje penale në rradhët e shumicës, dua të jem shumë i qartë për këtë. Ka njerëz të cilët, unë besoj se meritojnë të ndiqen penalisht dhe qeveria e SHBA është gati të mbështesë Znj. Marku, prokurorët dhe policinë në këto çështje.

 

Fevziu: Një tjetër problem është se SPAK dhe BKH, kur të nisin punën e tyre, do të kenë nevojë për ndihmën e SHBA. Çfarë ndihme do të japë SHBA në këtë rast? Vetëm ndihmë apo edhe bashkëpunim?

 

Ambasadori Lu: Të dyja.

 

Fevziu: Të dyja?

 

Ambasadori Lu: Ne jemi zotuar përpara qeverisë shqiptare dhe popullit shqiptar. Kur SPAK dhe BKH të krijohen, FBI do të trajnojë zyrtarët e tyre në selinë qëndrore të FBI në Kuantiko, Virxhinia. Ne do të sigurojmë pajisje dhe udhëheqje në ngritjen dhe funksionimin e këtij institucioni. Ndërsa për SPAK, ne kemi prokurorë federalë amerikanë nga Shtetet e Bashkuara, nga Departamenti i Drejtëisë, të cilët do të vijnë këtu, do të ndihmojnë në ngritjen e institucionit dhe do të sigurohen që ai funksionon pa anshmëri politike.

 

Fevziu: A do të hetojnë ata çështje konkrete?

 

Ambasadori Lu: Ata nuk kanë autoritetin për të hetuar çështje konkrete por mund të këshillojnë prokurorët dhe policinë shqiptare që janë duke u marrë me ato çështje.

 

Fevziu: Një tjetër problem që kam dëgjuar ka të bëjë me periudhën pas vetingut. Një numër prokurorësh dhe gjykatësish do të goditen nga ky proces. Ku do t’i gjejë Shqipëria gjykatësit dhe prokurorët e rinj, Z. Ambasador?

 

Ambasadori Lu: I kam parë edhe unë ne media këto kritika, se Gjykata Kushtetuese është tashmë në kolaps, se gjykatat e tjera nuk po funksionojnë. Unë kam një pyetje për ju dhe për popullit shqiptar, do të donit të kishit tani një gjykatë funksionale por me gjykatës të korruptuar apo do donit të prisnit disa javë apo muaj dhe të kishit gjykata të pasrta, me gjykatës dhe prokurorë të pastër? Unë mendoj se përgjigjia është e qartë, se pjesa më e madhe e shqiptarëve janë të gatshëm të presin disa javë apo muaj, në mënyrë që të kenë një sistem të pastër. Unë e pranoj, kjo mund të krijojë pak rrëmujë për disa javë, por ia vlen të presësh për të pasur njerëz të pastër.

 

Fevziu: Sipas mendimit tuaj, kur do të përfundojë reforma në drejtësi?

 

Ambasadori Lu: Kushtetuta lejon një kohë të gjatë për procesin e vetingut. Ajo që pamë në Kosovë ishte se vetingu zgjati 2 vjet, 2 vjet e gjysëm. Ajo jep mundësinë për të apeluar, dhe në fund për të apeluar edhe në Strasburg, dhe kjo gjë mund të krijojë vonesa. Mendoj se për ne dy vitet e ardhshme do të jenë një periudhë vendimtare. Do të përfundojë vetingu, do të ngrihet SPAK dhe BKH, dhe këto do të jenë çaste vendimtare. Jam i lumtur që kam qënë këtu në fillimet e zbatimit të reformës dhe mezi pres të rikthehem kur ajo të jetë e zbatuar plotësisht. Unë mendoj se do ta ndryshojë këtë shoqëri, vërtet mendoj se është fillimi i një ndryshimi dramatik, mendoj se do të jetë arsyeja përse të rinjtë do të qëndrojnë në këtë vend, dhe mendoj se u jep shqiptarëve shpresë të vërtetë.

 

Blendi Fevziu:  Z. Ambasador, një nga problemet gjatë qëndrimit tuaj këta 3 vjet në Shqipëri, por edhe më përpara, ka qenë pjesmarrja në politikë apo pasja e një roli në politikën shqiptare të njerëzve me të kaluar kriminale. Mbaj mend që në 2015 ju mbajtët një fjalim, ku i kërkuat njerëzve të mos votonin për këta njerëz, Roshi, Bushi dhe të tjerë. Por nuk solli asgjë pasi ata i fituan zgjedhjet. Pyetja është, kur do të mbarojë kjo histori në Shqipëri?

 

Ambasadori Lu: Shqiptarët duhet të jenë krenarë. Unë jam i vetëdijshëm që ky problem vazhdon ende, por ju keni bërë kaq shumë përparim. Kur unë erdha këtu 3 vite më parë, mbeta i habitur nga niveli i kriminelëve në Parlament por edhe në Bashki. I kemi parë sërish këto problem, gjatë zgjedhjeve të fundit për Kryetarë Bashkie…

 

Blendi Fevziu: Ambasador, është e tmerrshme. Trafikantë prostitutash…

 

Ambasadori Lu: Padyshim.

 

Blendi Fevziu: Njerëz që kanë trafikuar qënie njerëzore…

 

Ambasadori Lu: Padyshim. Përdhunues në grup. Është e pabesueshme.

 

Blendi Fevziu: Vrasës që ulen në karriget e Parlamentit të Shqipërisë. Është e tmerrshme për të rinjtë që jetojnë në Shqipëri.

 

Ambasadori Lu: Po përse e bëjnë këtë gjë? E bëjnë sepse marrin imunitet. Ata besojnë se kjo u jep mbrojtje për veprimtarinë e tyre të paligjshme. Por ajo që kam parë është se kriminelët po fillojnë ta kuptojnë se kjo nuk ju jep imunitet. Shikoni Elvis Roshin, shikoni kriminelët e tjerë tani, Armando Prengën, kjo gjë nuk të mbron më.

 

Blendi Fevziu: Ata janë ende shumë aktivë në struktrat e partive…

 

Ambasador Lu: …kjo gjë nuk të mbron, por tërheq vëmendjen në krimet e tyre. Unë kam punuar në shumë vend nëpër botë, të cilat kanë pasur kriminelë në politikë. Ose kriminelën lejohen të mbrohen nga politika, ose politika tërheq vëmendjen ndaj sjelljes së tyre kriminale. Tashmë, me këtë ligj, ky është ligji i dekriminalizimit më i ashpër në Europë, mbase edhe në botë. Ai tërheq vëmendjen ndaj kriminelëve dhe kjo është diçka shumë e mirë. Por mendoj gjithashtu edhe se është e rëndësishme që Monika Kryemadhi, Luli Basha dhe Edi Rama, këta kryetarë të partive të tyre, të marrin përgjegjësinë për kriminelët që kanë futur në listat e tyre. Nuk mjafton t’i thuash Ambasadorit të SHBA apo Blendi Fevziut se “nuk e dija që ishin kriminelë”. Ata janë përgjegjës. Ata janë të vetmit njerëz që kanë fuqinë për të zgjedhur se kush përfshihet në listat e tyre dhe duhet të mbajnë përgjegjësi pë rata që fusin në lista.

 

Blendi Fevziu: Jam shumë kurioz Z. Ambasador, pas fjalimit tuaj publik kundër këtyre njerëzve në zgjedhjet vendore të 2015, a keni folur me Z. Rama? Çfarë ju ka thënë ai?

 

Ambasadori Lu: Po. Kam folur me Z. Rama, në atë kohë edhe me Z. Basha, dhe kryetarë të tjerë të partive të cilat kishin kriminelë në listat e tyre.

 

Blendi Fevziu: Çfarë ju tha Z. Rama për këta njerëz konkretë?

 

Ambasadori Lu: Do t’ju tregoj një secret. Ka pasur politikanë dhe parti që në fakt kanë hequr njerëz nga listat e tyre pa shumë zhurmë. Ju nuk shihni gjithçka që ndodh por në fakt ka pasur përparim edhe përpara zgjedhjeve. Njerëzit duhet ta dinë se ka pasur përparim të madh në heqjen e këtyre njerëzve por edhe në parandalimin e përfshirjes së tyre në listë. Kjo do të vazhdojë. Kjo është pjesë e kontributit të Amerikës ndaj politikës shqiptare, përpjekja e fortë për të parandaluar që këta kriminelë të shërbejnë në qeverinë tuaj. Nëse ata shërbejnë në qeverinë tuaj, ju jeni një aleat më i dobët i NATO-s për ne. Është në interesin vetjak të Amerikës që të mos ketë kriminelë në Kuvend dhe në bashki.

 

Blendi Fevziu: Z. Ambasador, një tjetër problem i madh gjatë këtyre viteve të qëndrimit tuaj këty është edhe problemi kanabisit dhe kultivimit të tij.

 

Ambasadori Lu: Pa dyshim.

 

Blendi Fevziu: Ka shumë komente sipas të cilave Ambasadori amerikan nuk foli asnjëherë apo nuk bëri asnjë deklaratë kundër kanabisit apo kultivimit të kanabisit në vendin tonë. Por edhe gjatë muajve apo viteve të fundit, keni folur për trafikun e kanabisit por asnjëherë për mbjelljen e tij. A ka qenë kjo një pikë e dobët e juaja?

 

Ambasadori Lu: Më lejoni të kthehem pak prapa pyetjes tuaj. Do t’i përgjigjem edhe asaj, por më lejoni të them diçka më parë. Opozita bëri diçka shumë efikasë në këtë rast. Opozita e ngriti këtë çështje me zë të lartë dhe të qartë për muaj të tërë, dhe opozita e solli çështjen e mbjelljes së hashashir dhe trafikimit të paligjshëm në qendër të axhendës kombëtare. Ky është një sukses i opozitës, madje kam dëgjuar edhe njerëz nga Partia Socialiste ta pranojnë që kjo është e vërtetë. Së dyti, Ambasada e SHBA, Delegacioni i BE, shumë, shumë vende anëtare të BE, kanë vijuar në publik dhe privatisht të shtyjnë qeverinë për të marrë masa dhe në fakt kemi parë veprime. Ndryshimi midis kultivimit nga 2016-a në 2017-ën është 99% përmirësim. Dhe kjo nuk është vërtetuar nga unë, as nga Edi Rama, por nga Guardia di Finanza që fluturon aeroplanët mbi vendin tuaj. Përparimi i bërë është shumë mbresëlënës, por ajo që unë them sot është se ky përparim do të humbasë nëse njerëzit që janë përgjegjës për kultivimin e kanabisit, peshqit e mëdhenj, nuk futen në burg. Dhe nëse ata nuk futen në burg, kultivimi i kanabisit do të vazhdojë, por edhe do të ketë rritje në trafikun e heroinës dhe kokainës. Ngarkesa prej 613 kg, sasia më e madhe e kokainës që është kapur ndonjëherë në këtë vend, është prova se kjo po kthehet në një rrugë për trafikun e paligjshëm të kokainës dhe heroinës. Kjo do të jetë shkatërruese për shoqërinë shqiptare…

 

Blendi Fevziu: Një fatkeqësi për gjithçka …

 

Ambasadori Lu: Absolutisht.

 

Blendi Fevziu: Fatkeqësi jo vetëm për fëmijët, por edhe për biznesin sepse trafikantët e drogës do të jenë biznesmenët më të mëdhenj në vend, njerëz me fitime të jashtëligjshme. Kam edhe dy pyetje të fundit, Z. Ambasador, sepse e di që koha është e kufizuar. E para, në Shqipëri ka një debat të madh për një kontratë PR nënshkruar nga PD dhe një person në SHBA që është një kompani PR në SHBA. U botua nga Mother Jones një investigim që thoshte se ato para vinin nga Rusia dhe nga Kremlini. Cili është opinion juaj, e para, dhe e dyta, a ka një hetim në SHBA për këtë çështje? Nuk flas për hetimin e madh për ndikimin rus në zgjedhjet e SHBA.

 

Ambasadori Lu: Ne, qeveria e SHBA dimë shumë për këtë çështje. Në SHBA, lobimi pranë qeverisë së SHBA është i ligjshëm, përfshi lobimin nga ente të huaja, fuqi të huaja, në këtë rast një parti politike. Por për të lobuar në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të ligjshme, lobisti duhet të bëjë deklarime publike të kontratave, të financave dhe të aktiviteteve që ndërmerr, në këtë rast për PD. Pra, çdo gazetar, çdo qytetar mund të hyjë në faqen e Departamentit të Drejtësisë dhe të gjejë të gjitha këto hollësi, të gjitha kontratat, dhe shifrat. Pra, dimë shumë dhe kemi ditur në fakt për gjashtë muaj se çfarë ndodh me këtë rast. Janë dy çështje këtu. Njëra çështje është nëse janë shkelur ligje në Shtetet e Bashkuara apo në Shqipëri. Në SHBA mund ta dini se kemi ligje kundër të huajve që ofrojnë para për fushata politike. Në Shqipëri, dimë që Luli Basha ka kërkuar nga prokuroria të hapin një hetim. Kanë hapur një hetim dhe janë në proces për t’i kërkuar SHBA, qeverisë së SHBA dhe prokurorëve të SHBA, për dokumente për këtë çështje. Pra, ka një hetim të hapur në Shqipëri. Nuk mund të konfirmoj nëse ka një hetim të hapur në Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, gjëja e dytë për të cilën dua të flas është çështja e Rusisë, sepse Qeveria e SHBA dhe ambasada jonë janë shumë të shqetësuara për prova në rritje të ndërhyrjes ruse në zgjedhje kudo në Europë. Po e ndjekim çështjen nga shumë afër, nëse rusët kanë dhënë contribute tek lobisti në emër të Partisë Demokratike dhe Luli Bashës. Nëse kjo është e vërtetë, do të ishte një përpjekje shumë serioze nga rusët për të ndërhyrë në zgjedhjet e një shteti anëtar të NATO-s.

 

Blendi Fevziu: Basha tha se është Rama ai që mbështet investimet e rusëve në Shqipëri. Keni ndonjë informacion mbi këtë?

 

Ambasadori Lu: Kemi monitoruar atë që ndodh këtu me rusët nga shumë afër. Nuk mund të them se kemi shumë hollësi për këtë tani, por ju siguroj që ne këtë çështje e ndjekim nga shumë, shumë afër.     

 

Blendi Fevziu: Sipas një marrëveshjeje midis vendeve anëtare të NATO-s dhe vendeve të tjera demokratike, SHBA kërkoi që Shqipëria të dëbonte apo të largonte dy diplomatë rusë. Cili është problemi tani midis SHBA dhe Rusisë?

 

Ambasadori Lu: Siç është thënë në Uashington dhe nga Ambasadori ynë në Mbretërinë e Bashkuar, veprimet kanë pasoja. Ne, SHBA, kemi larguar numrin më të madh ndonjëherë të diplomatëve rusë në historinë e vendit tonë por nuk e kemi bërë këtë vetëm. E bëmë këtë me dy duzina vendesh të tjera aleate, përfshi Shqipërinë. Dhe e bëmë këtë në bashkërendim si aleatë në NATO.

 

Blendi Fevziu: Si reagim i të gjitha vendeve demokratike …

 

Ambasadori Lu: Ne kemi besim në atë që MB ka thënë lidhur me sulmin me gaz nervor në Salisbury, Angli, pra që ishte një gaz nervor i shkallës ushtarake prodhuar nga Rusia. Pra, Kryeministrja May ka thënë, publikisht, se ekzistojnë vetëm dy mundësi. Njëra është që qeveria ruse e kreu këtë sulm në mënyrë të vullnetshme kundër një nënshtetasi britanik dhe vajzës së tij. Ose, e dyta, mundësia e dytë është që qeveria ruse nuk e ka deklaruar këtë armë të rrezikshme kimike dhe nuk ka siguruar stokun e vet të kësaj arme. 

 

Blendi Fevziu: Dhe pyetja e fundit, Z. Ambasador. Ka shumë njerëz në Shqipëri që mendojnë se George Soros, miliarderi amerikan, po ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë nëpërmjet Fondacionit Soros dhe nëpërmjet mbështetjes për qeverinë. Cili është opinioni juaj për këto ide?

 

Ambasadori Lu: Më lejoni t’i përgjigjem në dy mënyra pyetjes. E para, më duhet të them se Fondacioni Soros është një fondacion privat, nuk është një ent i qeverisë së SHBA në asnjë mënyrë, pra si ambasador amerikan do të ishte e pavend për mua që qoftë të mbështesja aktivitetet e Fondacionit Soros apo të kritikoja ato. Janë disa politikanë shqiptarë që kanë pretenduar se unë, Ambasadori i SHBA, ose ne, Ambasada e SHBA, në ndonjë mënyrë, kemi financuar Sorosin këtu apo kemi mbështetur veprimtaritë e tyre në Shqipëri. Është tërësisht e pavërtetë. Dhe nuk jam vërtet i sigurt se pse vvazhdojnë ta tregojnë këtë histori. Nuk ka pasur para amerikane që shkojnë tek Fondacioni Soros në Shqipëri. Është e vërtetë që Soros ka programe këtu, e dini ju, e di edhe unë. Hera-herës, këto programe kanë objektiva të përbashkëta me programet e qeverisë së SHBA. Shembulli më i dukshëm është reforma e gjyqësorit, apo jo? Ata financuan një pjesë të punës kërkimore për reformën në hapat e parë, qeveria e SHBA ka investuar fuqishëm për atë reformë, por këtë kanë bërë edhe socialistët, edhe demokratët, edhe LSI, edhe europianët, është projekt i përbashkët. Ka raste, kur Fondacioni Soros ka zhvilluar programe të tjera këtu me të cilat ne, qeveria e SHBA, nuk kemi qenë në një mendje. Është fondacion privat, nuk ka të bëjë me qeverinë e SHBA.

 

Blendi Fevziu: Ambasador, faleminderit shumë. Nuk kemi më kohë por ndoshta herën tjetër mund të zhvillojmë një intervistë më të gjatë. Faleminderit shumë që ishit në studion e Opinion.

 

Ambasadori Lu: Blendi, faleminderit për mundësinë. Ka qenë vërtet një kënaqësi që kam qenë këtu në Shqipëri. Dua të them se nuk ka dy vende më të afërta në botë se sa Shqipëria dhe SHBA dhe unë ndihem i nderuar që kam qenë një pjesë e vogël e afrimit të dy vendeve edhe më shumë.

 

Blendi Fevziu: Është një marrëdhënie historike.

 

Ambasadori Lu: Faleminderit.

 

Blendi Fevziu: Faleminderit shumë, Ambasador. 

 

Ambasadori Lu: Ju faleminderit.