Mbrëmjen e djeshme, të gjitha ata që e njohën nga afër e nga larg, i mbërtheu trishtimi dhe dhimbja, për ikjen e tij të menjëhershme.

Ergi Dini, fituesi i edicionit të 3 të  “X Factor Albania” u nda nga jeta tragjikisht pas një aksidenti të rëndë, që pësoi me motorr sëbashku me shokun e tij Klejdi Halili.

Jeta e tij ishte e vrullshme, me një ritëm marramendës duke ndjekur pasionin e madh për muzikën. “X Factor Albania 3” ia plotësojë ëndrrën, për të marrë çmimin më të rëndësishëm, që për të ishte publiku. Por ai la pas një ëndërr tjetër të parealizuar, të përfaqësonte kombin shqiptar në “Eurovizion”. Gjatë një interviste të dhënë, dy vite më parë për emisionin “Jo Vetëm Modë” nga Floriana Garo transmetuar në Televizionin Klan, ai ka treguar për jetën e tij artistike, që e nisi që në kopësht.

2

                                                                             

Ergi Dini në festivalin e fëmijëve Shkodër

Por askush nuk dyshonte për talentin e tij dhe kështu ndodhi, Ergi Dini djaloshi simpatik nga Shkodra nuk zhgënjeu edhe pse gara ishte e vështirë. Në atë kohë ai ishte nxënës në liceun artistik “Jordan Misja” dhe instrumenti i tij më i dashur ishte kitara, për të cilën nisi edhe studimet e larta në Universitetin e Arteve.

“Në kopësht edukatorja i binte firzamonikës dhe ajo më kuptoi, që unë isha më i intonuar. Mbaj mend që edukatorja, takoi prindërit e mi dhe i tha: “vini pak re Ergit se ka vesh në muzikë dhe i shkoni pak nga mbrapa”. Që atëherë familja ishte përkrahësi im më i madh, të vazhdoja rrugën drejt artit, por e kam edhe të trashëguar sepse edhe motrën e kam këngëtare, por edhe babai më ka mbaruar për fagot në Liceun Artistik Shkodër.

Unë kam qenë thuajse tetë deri në nëntë vjet në Festivalet Kombëtare të Shkodrës. Në moshën 14 – vjeçare në Festivalin e Fëmijëve të Shkodrës, kam marrë çmimin “Interpretuesi më i mire”.  Edhe në një aktivitet në Shkodër “Bilbilat e Vegjël” kam marrë çmim, edhe në klasë të parë mora çmimin e tretë. Për dy vite rradhazi mora çmimin e dytë, derisa mora çmimin e parë me këngën “Granada”. Në ëndrrën e të bërit të famshëm u rrita dhe besoj se edhe pak do ia dal.”

ergi2

Por si erdhi Ergi në X factor Albania?

“Isha shumë i hallakatur dhe jam pak i tillë si tip, emrin erdhi ma la mami me babin. Unë nuk doja se isha me shokët e mi për pushime në verë, derisa puna u bë më shumë serioze. 

Normalisht në të tilla llojë garash të gjithë futemi me pretendimin të marrim çmimin e parë, por çmimi më i madh për një artist është publiku, të cilën besoj se e kam fituar.”

Ato që e kanë ndjekur në daljet e tij skenike në “X FactorAlbania 3” nuk mund ta mendojnë Ergin pa kitarën, instrumentin e tij të preferuar, një shpegim të cilin ai e ka dhënë për emisionin “Jo vetëm Modë”.

“Muzika ka qenë një pjesë e pandashme e imja. Fillova kitaren në moshën 10 vjeçare, të cilën e vazhdova edhe në lice në vitin e katërt. Pata një pauzë pesë vjet, ngaqë në periudhë adoleshence zëri fillon edhe të ndryshon, kisha një regjistër “tenor”. Ndërsa vitin e fundit më ndryshoi zëri komplet, duke u bërë një zë i çjerrët. Në muzikë kam dashur të isha gjatë gjithë kohës, por kisha dëshirë edhe një instrument, që të quhesha një artist i kompletuar. Unë jam në vitin e katërt në Liceu Artistik, do të konkuroj në Akademi të Arteve për Kitarë. Muzika është profesioni im.

ergi me kitare

Të gjithë kanë veçoritë e veta, këngëtarët në këtë kompeticion kanë qenë të veçantë në llojin e tyre, po “X Factor” është një sfidë më vete dhe besoj se secili nga ne ia ka dalë. Pjesën më të madhe të ditës e kalonim tek Tv Klan, por ngaqë jam shumë tip kërkues nga vetja, mund të kem ndenjur tetë ose nëntë orë në prova në studio, kam qenë gjithmonë i fundit që kam dalë.”

Ai mendon se talenti, fati dhe vullneti janë komponentët kryesorë, për të ecur drejt karrierës së bukur të artit.

“Talenti dhe fati pasi ka zëra shumë të mirë që nuk mund të njihen dhe anasjelltas, por vullneti dhe egoja është e para për të arritur qëllimin.”

Një nga njerëzit që i ka qëndruar pranë Ergit në mbrëmjen e madhe të “X Factor Albania 3”, ka qenë këngëtarja Tuna, e cila ishte edhe mentorja e tij. Dueti me Tunën në skenën e finales është një mbresë që do të mbetet e pashlyer për Ergin.

“Kisha shumë emocione në duet, pasi ka shumë përgjejgësi. Këngën e zgjodhi Tuna dhe bashkë bëmë punë intensive gati një javë rresht.

Kur erdhi momenti që do të shpallet çmimi për fituesin, ngela vetëm unë dhe Senadi. Senadi ka pasur shumë organizim të fortë dhe shumë autobuzë nga Maqedonia, që kishin ardhur për t’a mbështetur, por unë kisha shumë besim tek zëri im dhe tek Tuna. Kisha mbështetjen e të gjithë shqiptarëve dhe fati donte që ta fitoja unë. Kur u tha emri im u emocionova jashtë mase, pashë edhe publikun që u ngrit në këmbë, ishte një emocion i paparë dhe kjo eksperiencë do të rri shumë gjatë në memorien time.

Është bukur që njerëzit që nuk i njeh të ndalin në rrugë dhe të bëjnë urime.

Gjithmonë ëndrra ime ka qenë që të përfaqësoj Shqipërinë në “Eurovizion”, tani fillon puna për projektet e mia dhe besoj se do jem me sukses. Unë kam pasur shumë oferta për koncerte në Maqedoni, Kosovë, Kanada, Francë dhe në shumë vende të tjera. Këto janë pjesë e planeve të mia, të cilat unë do t’i bëj me shumë qejf.

Në skenë kam një gjë të mirë që emocionet i kam gjithmonë pozitive, futem me vetëbesim.”

Si çdo artist edhe Ergi kishte idhujt e tij në muzikë.  

“Kam kaluar shumë rryma muzikore. Në fillimet e mia kanë qenë “metal blade”, “heavy metal”, deri nga vitit i dytë në gjimnaz. Idhulli im ka qenë gjithmonë James Brown. “Djemtë e Detit” kanë qenë grupi im i preferuar nga këngëtarët shqiptarë. Ka qenë në top listën e këngëve të mia të preferuara, në fakt kam marrë shumë komente, por unë në çdo këngë dua të jem Ergi dhe jo të imitoj.

Dua që të jem i suksesshëm me këngët e mia, po mendoj të sjell një stil ndryshe nga të tjerët dhe të depërtoj në zemrat e të gjithë shqiptarëve, pasi ky është çmimi më i madh.”/ tvklan.al