Pezullohen nga detyra infermieri, Ylli Coraj dhe mjekja Eneida Rustemi, pas denoncimit në  emisionin  “Stop”, ku ata shfaqen duke marrë 40 mijë lekë një qytetari për caktimin e një operacioni jashtë radhë në spitalin francez në Tiranë.

Në pamjet e publikuara nga “Stop” një qytetar paraqitet për të hequr perdet në sy, ku dhe takohet me infermierin Ylli Cora, i cili i shpjegon se rastin e tij mund ta fusin për ndërhyrje, si rast urgjent.

Pasi bien dakord, infermieri bisedon me mjeken Eneda Rustemi, e cila i konfirmon se pacienti mund ta paraqitet një ditë më pas për të kryer ndërhyrjen.

Infermieri, i cili luan edhe rolin e sekserit, i kërkon pacientit 40 mijë lekë për të kryer këtë ndërhyrje, 10 prej të cilave sipas tij janë për mjeken, e cila do të kryejë ndërhyrjen jashtë radhe.

Një ditë më pas, pacienti paraqitet në spital dhe i dorëzon infermierit paratë. Menjëherë pacienti regjistrohet nga mjekja si rast urgjent.

Pas dhënies së lekëve dhe ndërhyrjes në sy, pacienti largohet nga ambientet e spitali.

Tv Klan