Për të nxitur eksportet duke trefishuar sipërfaqet me sera, por dhe për të mbështetur investimet në sektorin bujqësor, këtë vit qeveria nisi projektin “Agro100 (sera)”.

Për të promovuar  këtë mbështetje të re me prodhuesit dhe agropërpunuesit, Kryeministri Edi Rama vizitoi  serat e “Agrocon” në Krutje të Lushnjes, ku po vazhdon investimi për ngritjen e serave më të mëdha e moderne në vend.

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë:

“Në dy vjet e kemi dyfishuar sipërfaqen e serave dhe kjo ka sjellë një impakt të menjëhershëm në eksport. Viti 2015 ka pasur një bum të eksporteve dhe një zhvillim shumë pozitiv edhe për tregun e brendshëm. Por tani duam të çojmë më përpara proçesin e mbështetjes direkte. Për 10 ha sera ne do të japim 100 mijë dollarë në 5 vjet. Për 100 ha fermë, do të japim 1 milion dollarë në 5 vjet, direkte,”

“Agrocon” po investon në fazën e parë 5 milionë euro për ngritjen e serave deri në 10 ha dhe me vlerë totale të investimit në përfundim të projektit 25 milionë euro.

Aktiviteti i kompanisë përfshin një numër zinxhir procesesh, që nga investimi në prodhimin e produkteve bujqësore në ndërtimin e një qendre të madhe të grumbullimit dhe ambalazhimit, që më pas të eksportohen në tregjet europiane.

Florian Lama, Përfaqësuesi i kompanisë:  

“Jemi në fazën e ndërtimit dhe në total do të shkoj në 10 hektarë sera. Serat janë të teknologjisë së lartë. Për produktin shqiptar ka një kërkesë jashtëzakonisht të madhe të eksportit. E rëndësishme është të plotësohet standardi dhe sasia.”

Kryeministri në Lushnnje inspektoi dhe ecurinë e projektit për rehabilitimin e digës Murriz-Thanë, Investimi prej 1,9 milionë eurosh i qeverisë për të parandaluar përmbytjen e kësaj zone në kohë reshjesh por u ndal dhe të inspektonte rrugën prej 2.6 kilometrash që lidh Krutjen me Lushnjen, një investim i qeverisë prej 42 milionë lekë.

Tv Klan