Apple prezantoi të martën një produkt të cilin e përshkroi si “hapi më i madh përpara”, që prej iPhone të parë. Bëhet fjalë për iPhone X.

Pajisja kushton dyfishin e çmimit origjinal të një dekade më parë dhe vjen me një sistem të quajtur “Face ID”, që i lejon përdoruesit që ta hapin duke përdorur fytyrën e tyre. Ky aparat vjen me karikues wireless dhe një mënyrë për të kontrolluar emojis duke përdorur shprehjet personale të fytyrës.

Apple deklaron se Face ID nuk mund të manipulohet, që do të thotë se nuk mund të futesh në telefonin e tjetrit duke skanuar një foto të tyre.

Do t’ju duhet të ngarkoni një foto të fytyrës që do të ruhet në telefonin tuaj, jo në serverat e Apple, duke krijuar kështu një sistem që shuan frikën e fenomenit “Big Brother”, se kompania po krijon një bazë të dhënash me fotografitë e njerëzve.

Apple premton se ekziston 1 në 1 milion shanse që dikush tjetër të jetë në gjendje të hapë telefonin tuaj me fytyrën e tij.

Shefi ekzekutiv i gjigandit të teknologjisë, Tim Cook e konsideroi këtë pajisje të re si moment historik për kompaninë, 10 vjet pasi prezantoi iPhone -in e parë.

iPhone X u prezantua në Kampusin e ri të Apple, në Kaliforni.

Një ndër risitë më tërheqëse është kamera e re ballore, e cila vjen 3D dhe mund të bëjë gjëra nga më interesantet me fytyrën e përdoruesve.

Sensorët e saj njohës do të animojnë gjithashtu emojis që dërgoni në mesazhe.

Përdoruesit e Apple do të jenë në gjendje që të përdorin mesazhe me emoji që lëzivin buzët dhe lexojnë fjalët e tyre.

Ato njihen si Animojis dhe kopjojnë shprehjet e fytyrës në një emoji kafshe, duke përdorur kameran ballore e cila skanon fytyrën.

Gjigandi i teknologjisë prezantoi gjithashtu iPhone 8 dhe iPhone 8 Plus, që do të mund të parapaguhen nga 15 Shtatori dhe duhet të dalin në treg më 22 Shtator.

iPhone 8 dhe iPhone 8 Plus do të vijnë në ngjyrë gri, argjend dhe një gold të ri, si dhe me kapacitet 64 dhe 256 GB, me një çmim fillestar prej 699 paund.

Sa i përket iPhone X, ai do të kushtojë plot 999 paund, duke e bërë kështu iPhone më të shtrenjtë në historinë e Apple.

Ai do të dalë në dyqane nga 3 Nëntori./tvklan.al