Shefi i Gardës Revolucionare të Iranit, Mohammad Ali Jafari, ka sugjeeruar se forcat ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, mund të jenë në rrezik nga sulmet raketore iraniane, nëse imponohen sanksione të reja kundër Iranit.

Agjencia zyrtare iraniane e lajmeve, IRNA, sot ka raportuar se gjenerali Jafari tha se “nëse sanksionet bëhen fuqiplota”, atëherë Shtetet e Bashkuara duhet t’i “lëvizin bazat e veta rajonale në rrezen prej 2 mijë kilometrave” nga Irani dhe ka shtuar se kjo largësi paraqet “rreze të veprimit të raketave iraniane”.

Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë baza që janë më pak se 500 mila nga kufiri i Iranit në vendet fqinje me Iranin.

Gjenerali Jafari, po ashtu, ka thënë se nëse Shtetet e Bashkuara e cilësojnë Gardën Revolucionare të Iranit si grup terrorist, atëherë kjo gardë do ta konsideronte ushtrinë amerikane si grup terrorist./REL