Irani, Russia dhe Kina filluan të premten një stërvitje të përbashkët detare në Oqeanin Indian, e cila sipas mediave shtetërore iraniane synon të forcojë sigurinë në det.

Televizioni shtetëror iranian tha se 11 anijeve të tyre iu bashkuan tre anije ruse, ndër ta edhe një destrojer, si dhe dy anije kineze. Mori pjesë edhe Garda Revolucionare e Iranit me anije më të vogla dhe me helikopterë.

Sipas njoftimit, manovrat do të shtrihen në një sipërfaqe prej 17 mijë kilometrash katrorë, në pjesën veriore të Oqeanit Indian, dhe do të përfshijnë luftime të zhvilluara natën, operacione shpëtimi dhe fikje zjarresh.

Më vonë gjatë ditës, televizioni tregoi pamje të një grupi anijesh që lundronin në rresht dhe tha se morën pjesë gjithsej 20 anije. Pamjet tregonin gjithashtu pjesë nga të shtënat në errësirë, nga ushtrime gjatë ditës, si dhe marinarët iranianë dhe rusë duke zbarkuar në platformën e një anijeje.

Kjo është stërvitja e tretë e përbashkët detare mes tre vendeve që nga viti 2019. Ajo koinçidoi me vizitën e zhvilluar rishtazi nga Presidenti iranian Ebrahim Raisi në Rusi, e cila u përmbyll të enjten.

Rusia është angazhuar tashmë në një përplasje me Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin për Ukrainën, në kufirin me të cilën ka dërguar rreth 100 mijë forca ushtarake, që Uashingtoni, Kievi dhe vendet aleate mendojnë se do të përdoren për ta pushtuar këtë vend.

Rusia njoftoi të enjten se do të zhvillojë manovra detare në disa zona, ku do të angazhojë pjesën më të madhe të potencialit të saj, mbi 140 anije dhe mbi 60 avionë. Manovrat do të zhvillohen deri në fund të muajit shkurt. Ato do të zhvillohen në Detin e Zi, në Mesdhe, në Atlantikun e Veriut dhe në Oqeanin Paqësor, krahas ushtrimeve të përbashkëta me Iranin në Oqeanin Indian./VOA