Ish deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi ka ironizuar kryetarin e opozitës Lulzim Basha. Nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, Patozi ka gjetur të përbashkëtën mes trajnerit tashmë të shkarkuar të Italisë,  Gian Piero Ventura, pasi nuk futi Italinë në Botëror dhe kryeopozitarit Lulzim Basha.

Sipas tij, Basha dhe Ventura në ditën e kiametit kanë numëruar sukseset e tyre ndërkohë që duhet të largoheshin, por ndryshe nga Basha ku pas humbjes së zgjedhjeve të 25 Qershorit, që burrat u mblodhën që të shpallnin me unanimitet fitoren e humbësit, në Romë  u mblodhën ca burra dhe e shkarkuan me unanimitet humbësin.

Statusi i Astrit Patozit:

Kuptimi i unanimitetit në shqip dhe italisht

E gjithë Italia ishte e zhgënjyer dhe e pikëlluar nga disfata e kombëtares së futbollit me Suedinë, por trajneri ngulte këmbë se e kishte drejtuar mirë skuadrën.

Kur të gjithë prisnin të paktën dorëheqjen e tij, si ngushëllimin më të vogël, Gian Piero Ventura numëronte sukseset, që kishin arritur “Gli azzuri” në udhëheqjen e tij.

Dhe të gjitha këto i thoshte në ditën e qametit, kur e kishte nxjerrë Italinë jashtë botërorit, një gjë që kishte ndodhur vetëm një herë në histori, 60 vjet të shkuara.

U bë kaq qesharak, sa mund të krahasohej vetëm me Lulzim Bashën në Shqipëri, pas zgjedhjeve të 25 qershorit.

Ndryshimi i vetëm mes dy rasteve është se në Romë u mblodhën ca burra dhe e shkarkuan me unanimitet humbësin.

Ndërsa në Tiranë burrat u mblodhën që të shpallnin me unanimitet fitoren e humbësit.