Ish-presidenti afgan Hamid Karzai të mërkurën e quajti grupin terrorist të Shtetit Islamik një “mjet” të Shteteve të Bashkuara dhe hodhi poshtë kritikat ndaj Rusisë për lidhjet e saj me talebanët dhe përpjekjet për të sjellë grupin militant në bisedimet e paqes.

“Përdorimi i bombës nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan, nuk e eliminoi Daeshin,”

tha Karzai, duke iu referuar sulmit të javës së kaluar me bombën më të madhe jo-bërthamore amerikane, “MOAB” kundër Shtetit Islamik.

“Unë e konsideroj Daesh-in (Shtetin Islamik) mjet të tyre”,

tha zoti Karzai për shërbimin afgan të Zërit të Amerikës në një intervistë ekskluzive në Kabul, duke përdorur akronimin arab për Shtetin Islamik.

“Nuk bëj dallim mes Daeshit dhe Amerikës.”

Ushtria amerikane, në partneritet me forcat Afgane, ka premtuar të eliminojë terroristët e Shtetit Islamik në Afganistan këtë vit dhe të ndalë zgjerimin e Talibanit, duke përmendur sukseset e fundit të betejës kundër këtyre dy grupeve.

Territori i kontrolluar nga Shteti Islamik

Zëdhënësi i ushtrisë amerikane, kapiteni i Marinës Bill Salvin, i tha Zërit të Amerikës kohët e fundit se operacionet kundër terrorizmit, të drejtuara nga forcat afgane, kanë zvogëluar me “dy të tretat” territorin e kontrolluar nga Shteti Islamik dhe me “më shumë se 50 për qind” numrin e luftëtarëve të këtij grupi.

Pavarësisht përpjekjeve të forta kundër Shtetit Islamik nga Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në javët e fundit, Hamid Karzai i tha Zërit të Amerikës se lufta kundër Shtetit Islamik e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka qenë “e dobët” gjatë dy viteve të fundit. Ai tha se ka mjaft dëshmi për të mbështetur pretendimet e tij, edhe pse Shtetet e Bashkuara kanë luftuar për të eliminuar Shtetin Islamik dhe aleatët e tyre në Siri, Irak dhe gjetkë.

Gjatë shumicës së dy mandateve të tij në detyrë, ish presidenti afgan Karzai kishte lidhje të ngushta me Shtetet e Bashkuara, pasi pushtimi i Afganistanit nga amerikanët për të çrrënjosur qendrat terroriste i hapi rrugën ardhjes së tij në pushtet. Ai u mirëprit në Shtëpinë e Bardhë dhe besonte në strategjinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara në vendin e tij.

Por, marrëdhëniet e tij me Uashingtonin u përkeqësuan gjatë viteve të fundit. Ai ka denoncuar ashpër përdorimin amerikan të bombës masive, MOAB kundër shpellave dhe tuneleve nëntokësore të Shtetit Islamik në Afganistan, duke thënë se pasuesi i tij, Ashraf Ghani, ishte tradhtar për lejimin e sulmit.

“Ata hodhën një bombë atomike në Afganistan, nuk ka dallim midis bombës masive dhe një bombe atomike,”

tha ish-presidenti afgan, Hamid Karzai.

Shteti Islamik ka bërë përparim në Afganistan gjatë viteve të fundit dhe ka marrë përgjegjësinë për sulme vdekjeprurëse, përfshirë sulmin e muajit të kaluar në një spital ushtarak në Kabul, në të cilin u vranë më shumë se 30 njerëz dhe u plagosën 80 të tjerë.

Ndërkohë, talebanët po kundërshtojnë forcat qeveritare në provincat kryesore në mbarë vendin.

Lidhjet me Rusinë

Lidhjet e talibanëve me Rusinë gjithnjë e më shumë janë vënë në qendër të vëmendjes, ndërsa Moska kërkon të rrisë ndikimin e saj në vendin që dikur e kishte pushtuar dhe të luftoj shtrirjen e Shtetit Islamik nga Afganistani në vendet fqinje të Azisë Qendrore.

Akuzat për përfshirjen ushtarake të Rusisë në Afganistan kanë ngritur shqetësim tek autoritetet amerikane dhe afgane se Rusia po punon prapa skenave për të ndihmuar talebanët të sulmojnë forcat afgane dhe grupet militante si Shteti Islamik.

Në intervistën e tij me Zërin e Amerikës, Karzai hodhi poshtë kritikat për lidhjet e Moskës me talebanët. Karzai është afruar me Rusinë që prej largimit nga posti i presidentit të vendit, duke thënë gjatë një vizite në Moskë në vitin 2015 se ai mbështeste aneksimin e Krimesë nga Rusia. Gjatë kësaj vizite ai ishte takuar me presidentin rus Vladimir Putin.

“Ata flasin me talebanët,”

tha Karzai për Rusinë.

“Shtetet e Bashkuara gjithashtu bisedojnë me talebanët. Norvegjia, Gjermania dhe vende të tjera gjithashtu flasin me ta. Edhe Rusia ka të drejtë të zhvillojë bisedime me talebanët.”

Disa agjenci lajmesh kanë njoftuar se tetorin e kaluar të paktën një zyrtar amerikan kishte marrë pjesë në tre raunde “takimesh jo-zyrtare” mes qeverisë afgane dhe talebanëve.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner nuk pranoi të komentonte mbi këto njoftime në atë kohë, por tha se Shtetet e Bashkuara janë të

“përkushtuara në promovimin e një zgjidhjeje të negociuar për t’i dhënë fund konfliktit afgan”.

Përpjekjet për të shmangur forcimin e legjitimitetit të talebanëve

Por këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, H.R. McMaster, i cili zhvilloi bisedime me udhëheqësit afganë në Kabul, fundjavën e kaluar, tha se vendet duhet të shmangin forcimin e legjitimitetit të talebanëve.

“Askush nuk duhet të mbështesë talibanët,”

tha McMaster, kur u pyet mbi kontaktet e Rusisë me talebanët.

“Askush nuk duhet të mbështesë rezistencën e armatosur kundër qeverisë afgane dhe popullit afgan”,

shtoi ai.

Megjithatë, ish-presidenti Karzai i tha Zërit të Amerikës se

“Talebanët janë një realitet i madh në Afganistanin e sotëm. Vetë amerikanët thonë se ata (talebanët) kontrollojnë 50 për qind të territorit afgan. Kur një forcë kontrollon 50 për qind të territorit, nuk ka alternativë tjetër përveç bisedimeve me ta. Shtetet e Bashkuara bisedojnë me talibanët në zyrën e tyre në Katar.”

Deklaratat e Shteteve të Bashkuara dhe Afganistanit mbi madhësinë e territorit të kontrolluar nga talibanët nuk mbështesin pretendimet e ish-presidentit Karzai.

Qeveria afgane thotë se aktualisht kontrollon rreth dy të tretat e 407 distrikteve të vendit. Talibani kontrollon 33 distrikte, më pak se 10 për qind të totalit kombëtar dhe një vlerësim ushtarak amerikan i kohëve të fundit i cilëson 116 distrikte, më shumë se një të katërtën e vendit, si “të kontestuara”.

Rusia ka pranuar lidhjet politike me talebanët. Por zyrtarët rusë thonë se Moska nuk po furnizon militantët talebanë me armë, nuk po i trajnon ata dhe se kontaktet e tyre kanë për qëllim vetëm lehtësimin e procesit të paqes në Afganistan.

“Ne nuk japim asnjë ndihmë financiare apo ushtarake për talebanët. Pretendimet për ndihmë ruse për talibanët janë thashetheme dhe të pa baza,”

u tha gazetarëve të mërkurën në Kabul ambasadori rus në Afganistan, Alexander Mantytskiy.

‘Qasja rajonale’

Moska javën e kaluar organizoi një raund të ri, më të zgjeruar të “konsultimeve” shumë-kombëshe me synim zhvillimin e një “qasjeje rajonale” për promovimin e sigurisë në Afganistan dhe pajtimin kombëtar me talebanët, të udhëhequr nga qeveria.

Por administrata amerikane refuzoi të merrte pjesë në konferencë, duke vënë në dyshim synimet dhe motivet e Rusisë. Uashingtoni nuk u ftua në raundin e mëparshëm të këtyre bisedimeve.

“Çështja kryesore në rendin e ditës ishte koordinimi i përpjekjeve rajonale që synonin mbështetjen e procesit të pajtimit kombëtar në Afganistan, në interes të rivendosjes së shpejtë të paqes në vend”,

tha ambasadori rus Mantytski.

“Pjesëmarrësit shprehën shqetësim të përbashkët lidhur me rritjen e aktiviteteve terroriste në Afganistan që çuan në përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.”

Ish-presidenti afgan, Hamid Karzai i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara nuk janë serioze në përpjekjet për sjelljen e paqes në vend.

“Një konferencë u organizua kohët e fundit në Moskë. Pse Amerika nuk mori pjesë në të?”

pyeti Karzai.

“Pse i kërkoi qeverisë afgane të dërgonte një delegacion të nivelit të ulët në konferencë?”

Karzai tha se që nga viti 2008, ai vazhdimisht i ka shprehur Putinit pakënaqësinë e tij me amerikanët, por pakënaqësitë e tij ishin pritur me skepticizëm deri në vitet 2012-13.

“Por kur u ankova përsëri gjatë një takimi në Kirgistan, Putin më tha se mund të ketë një element të së vërtetës në këtë çështje,”

tha Karzai./VOA