gazetariAshtu siç ishte paralajmëruar, Shteti Islamik ka ekzekutuar me prerje koke edhe reporterin tjetër amerikan Stivën Sotlof.

31-vjeçari u mor peng në Alepo të Sirisë në Gusht të vitit të shkuar nga grupet ekstremiste islamike.

Ndërsa u shfaq në fund të videos së ekzekutimit, po me prerje koke, të reporterit tjetër amerikan Xhejms Folej, muajin e kaluar.

Dyshohet se ekzekutuesi i maskuar është sërish shtetasi britanik i njohur si Xhihadi Xhon, që kreu edhe ekzekutimin me prerje koke të Xhejms Folejt.

Në mesazhin e tij në videon e rradhës, të titulluar “Një mesazh i dytë për Amerikën”, xhihadisti ekzekutues thotë se arsyeja e këtij ekzekutimi është sërish politika arrogante e Shteteve të Bashkuara, ndaj Shtetit Islamik.

Ai u bën thirrje amerikanëve t’a lenë të qetë popullin e këtij vendi.

Pak ditë pas vrasjes së Xhejms Folejt, nëna e reporterit të ekzekutuar së fundi Stivën Sotlof i bëri thirrje kreut të Shtetit Islamik Abu Bakër Al-Bagdadi t’ia falë jetën birit të saj.

Sotlof është i dyti reporter amerikan që ekzekutohet me prerje koke, por rastet e ekzekutimeve me këtë lloj metode makabre të Shtetit Islamik janë me dhjetëra.

Amnesty International në raportin më të fundit i konsideroi metodat e ekzekutimit dhe spastrimet e popullsive për motive etnike dhe fetare në zonat e pushtuara në veri të Irakut e Sirisë, si të përmasave historike.

Tv Klan