Përveç rritjes se pensioneve me afro 3%, që qeveria pritet të bëjë nga viti i ardhshëm për të gjitha kategoritë, rreth 3 mijë pensionistë që i përkasin periudhës 93-96 do të marrin pension më të lartë nga janari 2017.

Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore kjo ndërhyrje është bërë pasi kjo kategori, për shkak të mënyrave të ndryshme të indeksimit , përfitonte pension më të ulët se pensionistët e tjerë pas 1996-s që i përkisnin të njëjtave profesione. Shtesa shkon deri në 3 mijë e 700 lekë të reja, në varësi të pensionit që kanë patur në vite .

Sipas ISSH së shpejti pritet të hyjë në fuqi edhe një vendim që i hap rrugë zgjidhjes në mënyrë më të shpejtë të procedurave të verifikimit për vjetërsinë në punë të qytetarëve.

Për disa çështje nuk do jetë më nevoja t’i drejtohen gjykatave por do marrin zgjidhje përmes komisioneve të ankimit pranë drejtorive rajonale të sigurimeve shoqërore dhe asaj të përgjithshme./ TV KLAN