Një emigrant shqiptar i paligjshëm, i cili kishte shkuar në Stoke-on-Trent i fshehur në kamion është dënuar me 3 vjet heqje lirie nga një gjykatë britanike.

Shqiptari Emiljano Boka u kap pasi policia i gjeti 24 qese me kokainë në pantallona dhe në këpucët e tij. 

Gjykata Crown Stafford tha se Boka hyri në Mbretërinë e Bashkuar pasi kishte paguar për transportimin e tij në një kamion nga Gjermania.

Oficerët e policisë e ndalën të pandehurin në orën 21:30 të datës 7 korrik, por ai dha një emër të rremë para se të arrestohej.

Prokurorja e çështjes Caroline Morris tha:

“Ai u dërgua në një dhomë private ku iu bë një kontroll për drogë dhe ai nxorri nga të brendshmet dhe nga këpucët e tij qese me kokainë.”

“Në paraburgim ai dha disa detaje të sakta, si fakti se kishte me vete 350 euro. Gjatë marrjes në pyetje ai tha se kishte ardhur në atë zonë për të vizituar miqtë e tij nga Shqipëria. Ai mohoi të kishte shpërndarë drogë dhe tha që drogën e kishte blerë nga një person në Hanley. Boka tha se i kishte fituar ato para nga lojrat e fatit.”

Oficerët deklaruan se vlera e kombinuar e 24 qeseve të kokainës ishte rreth 280 paund.  

Boka, nga Ashwood Terrace, Longton, u shpall fajtor për posedimin e kokainës me qëllim shpërndarjen.

Avokati i tij David Farley tha se Boka ishte kualifikuar në fushën e IT dhe kishte punuar në atë industri në Shqipëri.

Farley tha:

“Ai u ka thënë të vërtetën autoriteteve dhe ka ardhur në këtë vend nga një kamion nga Gjermania, duke paguar për kalimin e tij. Për shkak të statusit e tij si emigrant i paligjshmë ai ra pre e tregtisë së drogës.”

Farley tha se Zyra Qendrore po planifikon ta deportojë të pandehurin.

Gjyqtari William Edis e dënoi Bokën me 3 vjet burg. Ai tha:

“Ju nuk jeni i penduar dhe nuk mendoni se keni bërë ndonjë gabim. 

Tregtia e drogës sjell vdekje, shkatërrim dhe ju keni qenë pjesëmarrës aktiv në atë tregti.”

/tvklan.al