Senati italian ka miratuar me 166 vota pro projektbuxhetin për 2017-ën, në një ditë që konsiderohej si shumë e rëndësishme për fatin e qeverisë së vendit. Në votim ka pasur 70 vota kundër dhe një abstenim. Për politikën italiane ky ishte një lajm shumë i mirë, pasi u evitua miratimi i një buxheti provizor.

Ndërsa për mijëra të rinj shqiptarë, miratimi i buxhetit nënkupton pasiguri në punën e tyre. Kjo për shkak se në “manovrën ekonomike”, siç e cilësojnë politikanët italianë, përfshihej edhe ligji për ndalimin e zhvendosjes së “Call Center-ave” italianë, jashtë shteteve të Bashkimit Europian. N

ë këtë mënyrë, pas kalimit të ligjit në senat, bizneset do ta kenë më të vështirë të ushtrojnë këtë aktivitet në Shqipëri.

Norma ligjore ka për qëllim që të ndalojë investimet jashtë Italisë dhe përqëndrimin e tyre brenda vendit.

Në masat që parashikon ligji, përfshihet edhe tregimi i vendndodhjes së operatorit që po telefonon. Ndërsa në rast se klienti e kërkon, pa mbyllur telefonin, operatori duhet të transferojë urgjentisht thirrjen për në “Call centerat” që gjenden në vendet e Bashkimit Europian. Në rast se konstatohet shkelje e kësaj pike, ligji prashikon 50 mijë euro gjobë në ditë.

Pavarësisht thirrjes së Ministrisë Shqiptare të Ekonomisë dhe asaj të Punës dhe Çështjeve Sociale, senati e miratoi buxhetin pa bërë asnjë ndryshim, ashtu siç kishte mbërritur me 28 Nëntor nga Dhoma e Deputetëve.

Kriza e qeverisë italiane, e shkaktuar nga referendumi për ndryshimet kushtetuese, nuk la kohë për ndryshime nga ana e Senatit. Politikanët kaluan shumë shpejt këtë projektligj për t’i hapur rrugë zhvillimeve politike që mbaheshin pezull./ tvklan.al