Italia, të tjera masa shtrënguese për “call center”

Konsumatori mund të regjistrohet për të refuzuar telemarketingun

Tregu i kompanive “Call Center” në Shqipëri vijon të marrë goditje nga Italia. Në ligjin e buxhetit të vitit 2018-të, parlamenti italian miratoi masa të tjera shtrënguese, përveç atyre që vendosi një vit më parë. 

Të gjithë konsumatorët, të cilët shqetësohen nga shërbimi i telemarketingut, tashmë kanë të drejtë të regjistrohen në një listë ku refuzojnë marrjen e telefonatave reklamuese, e cila më pas u dërgohet firmave të “call center” për të mos i telefonuar më numrat që nuk duan këtë shërbim. Kjo automatikisht do të ulë numrin e klientëve të këtyre kompanive, një pjesë e të cilave që kanë treg Italinë, operojnë në Shqipëri.

Një tjetër masë për këtë sektor i miratuar nga parlamenti në Itali është edhe detyrimi për të vendosur një prefiks të njëjtë për telefonatat me natyrë reklamimin brenda tre muajve të ardhshëm, opsion ku më pas konsumatori ka të drejtë refuzimin ose pritjen e saj.

Një vit më parë, Italia detyroi të gjitha kompanitë “call center” që të deklaronin shtetin nga ato merrnin për të reklamuar mallra, çka hapi panik në tregjet ballkanike se produkti që ato shesin përmes telefonatave do të paragjykohej për shkak të cilësisë.

Nga ana tjetër, ligji për buxhetin dha shuma të caktuara parash në formën e subvencioneve për bizneset që ktheheshin në Itali dhe hapnin vende pune. Tregu i “call center” në Shqipëri ka 25 mijë të punësuar, por pavarësisht masave, INSTAT raporton se Shqipëria përgjatë 2017-ës ka pasur rritje të punësimit, ndërsa sektori i shërbimeve ka patur dhe rritjen më të madhe me 8%.

Tv Klan

Kategori
EkonomiLajmet KryesoreTe funditTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*