Një ditë pasi të shtënat me armë tronditën qytetin e Vlorës, policia e këtij qyteti ka arritur të zbardhë ngjarjen dhe të identifikojë autorin. Ai është një 34-vjeçar me precedentë penalë, i cili është shpallur në kërkim.

Në një njoftim, policia sqaron se rreth orës 14:00 të së shtunës, në lagjen ” 24 Maji”, tek rreth rrotullimi i Çoles 34-vjeçari me iniciale Q.M., është afruar në këmbë pranë makinës ”Renault Megane”, në timonin e së cilës ndodhej O.Ç., 25 vjeç.

Ata mësohet se janë konfliktuar për motive të dobëta e të çastit, e pas kësaj 34-vjeçari ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar mbi automjet. Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk pati të lënduar, por vetëm thyerje të xhamave të makinës.

Autoritetet kanë sekuestruar një gëzhojë pistolete dhe 2 automjetet e personave të përfshirë në konflikt. Aktualisht vijon puna për kapjen e autorit të kësaj ngjarjeje.

/tvklan.al