Armata është e gatshme me çdo kusht të mbrojë integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë, ka deklaruar presidenti i Maqedonisë dhe komandanti suprem i forcave të armatosura, Gjorge Ivanov.

“Edhe sot, sikur edhe para një çerek shekulli, po ballafaqohemi me sfida. Por edhe sot sikur para çerek shekulli, e kemi Armatën e Republikës së Maqedonisë e cila është mbrojtëse nga kërcënimet, krenari për qytetarët dhe shpresë për paqe në vend”, ka deklaruar Ivanov, i cituar nga “Alsat M”

Presidenti i Maqedonisë po fliste në ceremoninë e organizaur me rastin  e 25 vjetorit të marrjes së Stacionit “Ramna Niva” nga pjesëtarët e ARM-së dhe ngritjen e flamurit të Republikës së Maqedonisë në kufirin shtetëror.

Armata, tha Ivanov, ka dhënë kontributin më të madh për plotësimin e standardeve të larta në fushën e mbrojtjes, ndërsa kjo u dëshmua edhe me menaxhimin e suksesshëm dhe profesional, por me kërcënimin nga migrimi ilegal në kufirin tojë jugor.

Ndërkohë, Kryetari i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski tha se populli maqedon nuk do të tërhiqet ndërsa gjendjen në vend lidhur me krizën qeveritare e vlerëson si tensionuese dhe të paqartë. “Është të vështirë të parashikohet tjetër pos protestave, kur veproni në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve”, ka deklaruar Gruevski në një intervistë për Telegrafin e Serbisë

Gruevski ka akuzuar liderin opozitar, Zoran Zaev, dhe  siç ka thënë ai, Zaev ka një skenar për ridefinimin e plotë të shtetit dhe ndryshimin e konceptit të saj.

Në pyetjen nëse gjendja në Maqedoni mund të përkeqësohet Gruevski tha se mllefi i popullit është i madh.