Presidenti Gjorge Ivanov me tone kërcënuese i ka kërkuar mazhorancës së re faljen e personave të dyshuar për dhunën e 27 prillit në Kuvend.

Në intervistën e parë pas i dorëzoi mandatin Zaevit, presidenti tha se paqja në vend mund të mbizotërojë vetëm duke falur personat e lartë përmendur.

“Nëse ka gatishmëri nga Parlamenti, posaçërisht nga shumica duke pasur parasysh përvojën nga periudha pas vitit 2001 dhe nëse duan të kemi qetësi në shtet, le ta tregojnë atë në vepra – deklaroi Gjorge Ivanov, president i Maqedonisë.”

Analistët vlerësojnë se Ivanov me deklaratat e tij synon që për çdo trazirë në të ardhmen përgjegjësia t’i faturohet shumicës së re. Andreja Stojkovski vlerëson se fillimisht duhet të ketë përgjegjësi dhe më pas falje.

“Të flitet në këtë moment për amnisti si mënyrë për qetësimin e situatës është gabim i pafalshëm. Ajo që Maqedonisë i duhet dhe që një kohë të gjatë e cekin edhe partnerët tanë ndërkombëtarë dhe për të cilën janë betuar edhe liderët politik në marrëveshjen politike është përgjegjësia për keqpërdorimet e bëra. Përfundimisht të kthehemi në rrugën e vërtetë. Për mua amnisti nuk duhet pasur dhe as nuk mund të flitet për një gjë të tillë”, u shpreh Andreja Stojkovski, analist.

Partitë e shumicës parlamentare njëzëri dënojnë deklaratën e presidentit Ivanov. Nga LSDM shprehen të prerë se amnisti nuk do të ketë për askënd. Ndërsa në BDI thonë se dhuna nuk guxon të mbetet pa ndëshkuar. Nga Lëvizja Besa e quajnë skandal krahasimin e luftëtarëve të UÇK-së me dhunuesit dhe kriminelët, ndërsa nga LR PDSH thonë se fakti që Ivanov kërkon amnisti për huliganët dëshmon koordinimin e tij dhe të Mitko Çavkov me grupet kriminale. Ivanov demantoi informacionet se natën e 27 prillit kishte plan për shpalljen e gjendjes së luftës. Megjithatë pranoi se ushtria ishte e gatshme të ndërmerr masa në rast se policia do të kishte dështuar edhe me tepër në ballafaqim me turmën.

“Derisa policia nuk do të kishte sukses në ballafaqim me ndodhitë në Kuvend, ushtria është e obliguar t’i ndihmojë policisë për të ballafaquar situatën”, theksoi Gjorge Ivanov, president i Maqedonisë.

Ndonëse Ivanov tregon gatishmërinë e ushtrisë për ndërhyrje, ai nuk shpjegon arsyet pse nuk mjaftuan dy orë dështim i policisë për të ndërhyrë ushtria në ballafaqimin me turmën e dhunshme në Kuvend. Ai madje shtoi se kishte marr garanci nga shtabi operativ se policia mund të ballafaqoj turmën./Alsat-M